Nga Gazeta Si - Në total në botë jetojnë sot rreth 1.2 milionë specie. Por cila është më e rrezikshmja? Ose për të qenë më të saktë, cila kafshë vret më shumë njerëzit? Sikurse e kanë theksuar shumë filma të Hollivudit, kafshët më vdekjeprurëse për njerëzit përfshijnë disa nga gjigantët më të mëdhenj të natyrës, si luanët dhe krokodilët. Megjithatë, shumë kafshë janë shumë më pak vdekjeprurëse nga sa mund ta prisni. Për shembull peshkaqenët, vrasin vetëm 70 njerëz çdo vit. Çuditërisht, krijesat më vdekjeprurëse në Tokë janë shpesh shumë më të vogla, dhe kanë më shumë gjasa të vrasin përmes sëmundjeve, helmit dhe mjeteve të tjera, sesa me dhëmbë të mprehtë si brisk.
Luanët vrasin mesatarisht 200 njerëz në vit
Duke sulmuar zakonisht natën dhe duke përdorur kthetrat e tij mprehta për të shkaktuar plagë të thella me pasoja fatale, luani është një bishë e frikshme. Kjo lloj kafshe e ndjek prenë në grupe të vogla, duke e rrethuar specien e pafat përpara se ta vrasë. Luanët sulmojnë nga uria, por edhe për të mbrojtur të vegjlit e tyre.
Hipopotamët vrasin mesatarisht 500 njerëz në vit
Hipopotamët përdorin dhëmbët gjigante (deri në gjysmë metri) shumë të mprehtë për të gjuajtur, dhe me vetëm me një kafshim mund ta ndajë më dysh trupin e njeriut. Forca e një kafshimit të një hipopotami është 816 kg për 6.5 cm2, ose 3 herë më e madhe se ajo e një luani.
Duke qenë shumë territorialë, hipopotamët mund të sulmojnë një njeri kur i afrohet habitatit të tyre. Po ashtu dihet se ata sulmojnë dhe përmbysin varkat nëpër lumenj dhe liqene duke i ngatërruar me grabitqarët. Madje në kushte ekstreme hipopotami sulmon dhe ha llojin e vet.
Elefantët vrasin mesatarisht 600 njerëz në vit
Elefanti është një nga kafshët më të rrezikshme në botë për shkak të madhësisë së tij. Ai mund të sulmojë njerëzit në mënyra të ndryshme. Zakonisht elefantët i vrasin njerëzit duke i shkelur. Duke qenë se elefanti afrikan mund të peshojë deri në 8 tonë (ai aziatik deri në 5.5 gjysmë), forca e shtypjes së tij është vdekjeprurëse.
Krokodilët vrasin mesatarisht 1000 njerëz në vit
Krokodili i Nilit ka një forcë kafshimi deri në 2268 kg për 6.5 cm2, më e madhja nga çdo kafshë. Krokodilët e ujërave të kripur e shtypin prenë e tyre. Ndërkohë krokodilët e Nilit, përdorin kafshimin e tyre të fuqishëm për ta copëtuar prenë e tyre, përpara se ta gëlltisin të gjithë. Krokodilët janë agresivë dhe jashtëzakonisht territorialë dhe do të sulmojnë çdo gjë që hyn në habitatin e tyre, duke i zënë shpeshherë pritë gjahut në ujë.
Akrepat vrasin mesatarisht 3300 njerëz në vit
Nga mbi 2600 lloje akrepash, vetëm rreth 25 lloje mbartin një toksinë mjaftueshëm të fuqishme për të vrarë njerëzit. Një nga më të rrezikshmit është një akrep i verdhë, që mund të gjenden nëpër peizazhet dhe shkretëtirat e thata të Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme. Helmi i bartur nga një lloj i tillë, mjafton për të vrarë të rinjtë, të moshuarit dhe ata që kanë probleme të vazhdueshme mjekësore, përfshirë sëmundjet e zemrës.
Rriqrat vrasës (sëmundja Chagas), rreth 10.000 viktima në vit
Rriqrat vrasëse janë përhapësi kryesor i sëmundjes vdekjeprurëse Chagas. Këto insekte grabitqare që thithin gjak, janë një kërcënim real në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Sëmundja Chagas është potencialisht fatale dhe transmetohet nëpërmjet një kafshimi të insekteve ose nga konsumimi i ushqimit ose pijeve të ftohta që është infektuar nga insekti, që mbartin protozoarin Trypanosoma cruzi (T.cruzi). Kjo sëmundje e tmerrshme sulmon zemrën, sistemin tretës dhe sistemin nervor. Ajo mund të transmetohet nga nëna tek fëmija përmes placentës gjatë shtatzënisë.
Qentë vrasin mesatarisht 59.000 njerëz në vit
Miku më i mirë i njeriut, mund të jetë armiku më i keq i njeriut kur bëhet fjalë për tërbimin e kësaj kafshe. Ndërsa vdekjet nga sulmet e qenve janë të rralla, vdekjet nga sëmundja e tërbimit që transmeton kafshimi i tyre nuk janë të padëgjuara. Ato ndodhin kryesisht në pjesët më të varfra të botës, si në Afrikë dhe Azi.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), “qentë janë burimi kryesor i vdekjeve nga tërbimi tek njerëzit, duke kontribuar deri në 99 për qind të të gjitha transmetimeve të tërbimit tek njerëzit”. Sëmundja transmetohet nga pështyma nëpërmjet kafshimit, gërvishtjeve dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me zonat e infektuara të qenit.
Gjarpërinjtë vrasin mesatarisht 138.000 njerëz
Gjarpërinjtë e rrezikshëm mund të gjenden në mbarë botën, dhe i vrasin njerëzit në mënyra të ndryshme dhe brutale. Për shembull Mamba e zezë, mund të vrasë një njeri me vetëm 2 pika helmi nga një pickim, ndërsa pitonët mund të gëlltisin plotësisht një njeri të rritur. Pitonët sulmojnë duke e mbështjellë me trup prenë e tyre, duke i mbytur dhe ua thyer kockat. Më pas përdorin nofullat e tyre të gjera, për ta gëlltitur të gjithin. Disa pitonë arrijnë në 10 metra gjatësi.
Njerëzit, rreth 400.000 vrasje në vit (përjashtuar luftërat)
Njerëzit janë teknikisht speciet e dyta më të rrezikshme në planet, kur bëhet fjalë për vdekjet e të ngjashmëve të tyre. Në vitin 2019, në nivel global, 0.7 për qind e vdekjeve ishin rezultat i vrasjeve. Në Amerikën Latine, shkalla e vrasjeve është më e lartë sesa në pjesët e tjera të botës. Në El Salvador, ato përbëjnë më shumë se 7 për qind të vdekjeve.
Mushkonjat vrasin 725.000 njerëz në vit përmes përhapjes së sëmundjeve të tilla si Malaria
Ky insekt i vogël fluturues, ka qenë shkaku i shumë vdekjeve në mbarë botën falë përhapjes së Malaries dhe ka diktuar në shumë raste rrjedhën e historisë njerëzore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë “Malaria përhapet kryesisht tek njerëzit nëpërmjet kafshimit të disa mushkonjave femra të infektuara Anofele”. Afrika përbën 95 për qind të rasteve dhe 96 për qind të vdekjeve në mbarë botën.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.