Gazeta Si – Një aksident i rëndë është regjistruar në rrugën e Arbrit, ndërsa policia konfirmon për dy viktima dhe një të plagosur. Aksidenti ka ndodhur në Zallbastar të Tiranës sa kalon shkallën e Tujanit.
Në aksident u përfshinë 2 automjete, një makinë poste dhe një Golf. Për pasojë, njëra prej mjeteve përfundoi jashtë rruge duke rënë në humnerë. Të dy personat që ndodheshin në mjet mbetën të vdekur.
Ndërsa shoferi i makinës tjetër u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Identitetet e personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë nuk dihen ende. Edhe rrethanat momentalisht janë të paqarta.
“Më datë 18.12.2023, në Rrugën e Arbrit, afër Shkallës së Tujanit, janë përplasur 2 automjete. Si pasojë e përplasjes, njëri nga automjetet ka rënë nga lartësia në humnerë dhe 2 shtetasit që kanë qenë në këtë automjet, kanë humbur jetën. Drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi K. R., ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe për identifikimin e 2 shtetasve që kanë humbur jetën”, njoftoi policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




