Nga Gazeta ‘Si’-Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se është i habitur me komentet dhe kritikat që janë duke u bërë për draft-statutin e Asociacionit, të propozuar prej zyrtarëve të lartë perëndimorë.
“Mendoj se fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara, duke e adoptuar këtë draft, nëse ka pyetje rreth kushtetutshmërisë, siç e kam thënë edhe më herët, po e them sërish, ekziston vetëm një trup që mund të vendosë se çfarë është në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Hovenier, duke ritheksuar se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për kushtetutshmërinë e draftit të propozuar.
Hovenier gjithashtu deklaroi se qëndrimi amerikan nuk ka ndryshuar lidhur me Asociacionin.
“SHBA-ja beson se është obligim për Kosovën që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E di që natën e kaluar BE-ja dhe Këshilli i tij e kanë rikthesuar atë pritje, që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë lëvizje në atë drejtim. Pozicioni i SHBA-së ka qenë i qartë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë nivel i tretë pushteti, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk e duam edhe një Republika Sërpska. Nuk duam diçka që ka ndikim negativ në funksionim të shtetit të Kosovës”.
Hovenier është pyetur edhe nëse mund të ndryshojë drafti i propozuar, ndonëse ai ka thënë se dokumenti në fjalë reflekton qëndrimin e Perëndimit.
“Kjo është pyetje për [të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçakun, mendoj se ai i ka thënë Qeverisë së Kosovës dhe të tjerëve se është i hapur për komente. Mirëpo ekipi i Lajçakut, me mbështetje të SHBA-së, kanë punuar nga afër në këtë draft, për të garantuar se i përmbush të gjitha kushtet që i përmenda. A ka vend për përmirësime? Ndoshta. Por, nuk duhet humbur kohë në specifika për të humbur momentumin, për të ecur përpara me Asociacionin”.
Lidhur me urdhërarrestin nga INTERPOL-i, për Millan Radoiçiçin, ambasadori amerikan u shpreh se nuk e di sesi do t’i përgjigjet Serbia kësaj kërkese.
“Ne dënojmë çfarë ka ndodhur në Banjskë. SHBA-ja beson që të gjithë përfshirët në sulmin kriminal duhet të mbahen përgjegjës dhe ne presim që kjo të ndodhë dhe këtë e kemi bërë të qartë edhe me autoritetet në Serbi. Unë nuk e di sesi Serbia do t’i përgjigjet ‘Red Notice’ të INTERPOL-it, për Radoiçiçin”, tha Hovenieri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




