Gazeta Si - Ende nuk ka asnjë lajm zyrtar për Aleksei Navalnin, disidentin për të cilin nuk dihet asgjë prej 6 ditësh.
Transferimi i tij (gjoja) nga burgu është kthyer në një mister në Rusi dhe jo vetëm.
Sipas zëdhënëses së tij, Kira Yarmysh, në fakt, opozitari rus është larguar nga kolonia penale Ik-6 Melekhovo, por autoritetet e burgut nuk kanë dhënë detaje për destinacionin e ri.
Navalni, i cili po vuan 19 vjet burg i dënuar e ekstremizëm në Rusi, duhej të dilte në gjykatë në orët e fundit.
Tashmë është dita e gjashtë radhazi që nuk dihet se ku është dhe çfarë po ndodh me të, shkruan gruaja e tij në rrjetin “X”, duke shtuar se as avokatët nuk kanë dëgjuar më për kritikun e ashpër të Putinit.
Yarmysh shpjegoi më tej se javën e kaluar avokatët e Navalnit pritën më kot tre ditë për t'u lejuar të vizitonin klientin e tyre në koloninë penale ku ai ndodhet, por kërkesa u refuzua në momentin e fundit.
Letrat e dërguara 47-vjeçarit nuk iu dorëzuan atij dhe Navalni nuk mori pjesë me video në seancat e planifikuara.
Yarmysh tha se ajo ishte e shqetësuar për gjendjen shëndetësore të Navalnit, i cili kohët e fundit "ndihej i trullosur dhe duhej të shtrihej në dysheme. Zyrtarët e burgut hynë me nxitim, e shtrinë në një shtrat dhe i bënë një injeksion. Ne nuk e dimë se çfarë e shkaktoi sëmundjen e tij, por duke pasur parasysh se i është hequr ushqimi dhe është detyruar të qëndrojë në një qeli pa ventilim, ka gjasa që t'i ketë rënë të fikët nga uria”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje edhe një herë për lirimin e menjëhershëm të Aleksei Navalnit.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, në një konferencë për shtyp, tha: "Navalni me të vërtetë nuk duhej të ishte arrestuar dhe në çdo rast ai duhet të lirohet menjëherë", - tha zyrtari amerikan.
Kirby raportoi se ambasada amerikane në Moskë po përpiqet të mbledhë informacione për fatin e opozitarit rus.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.