Nga Gazeta Si – Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr. 3, Korçë, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta midis disa personave, të nisur më herët në ambientet e një lokali dhe më pas jashtë ambienteve të tij, ka mbetur i plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi Igli Hoti, 33 vjeç dhe i dëmtuar me mjete të forta shtetasi Artan Qeshori, të cilët u dërguan për mjekim në spitalin e Traumës Tiranë.
Burime policore konfirmuan se personat e përfshirë në konflikt kanë qenë në gjendje të dehur. Njëri prej personave ka debatuar me palën tjetër teksa ishin duke dalë nga lokali dhe në gjendje të dehur kërkonte që t’i hapnin rrugën. Kaq ka mjaftuar që të fillonin një konflikt, i cili degradoi në përdorimin e armës dhe mjeteve të tjera të forta.
Policia ka identifikuar autorët e dyshuar të ngjarjes dhe vijon punën për kapjen e tyre. Shërbimet e Policisë, kanë shoqëruar në ambientin e Komisariatit dhe po marrin në pyetje, persona të cilët kanë dijeni për ngjarjen. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




