Luan Bregasi i "Business Albania" kërkoi në Komisionin e Ekonomisë zgjerimin e fashës së tatueshme të pagave. Këtë Bregasi e argumentoi me uljen e evazionit fiskal ndër shumë kompani të mëdha, pasi sipas tij në asnjë kompani private nuk ekziston një rrogë më e vogël se 40 mijë lekë.
Gjatë diskutimeve në kuvend për projektbuxhetin 2019, Bregasi tha se propozimet e biznesit nuk janë marrë parasysh.
“Energjia dhe uji janë kosto të larta për industrinë vendase. Biznesi paguan dy-tre fish faturën e energjisë elektrike dhe ujit, më shumë se familjet, ndërsa duhet të ishte e kundërta. Kjo është vendosur në atë kohë kur humbjet në rrjet ishin 45-50 %. Për shkak të një organizimi më të mirë dhe administrimit të OSSH-së dhe ndërgjegjësismit të njerëzve mendojmë se sistemi energjetik është përmirësuar dhe ka ardhur koha të ndryshohet edhe çmimi i energjisë për biznesin. Përderisa humbjet janë ulur 25 %, na ulni edhe ne çmimin në këtë masë”, tha Bregasi.
Ai evidentoi gjithashtu si problematikë edhe parapagimin e akcizës për disa produkte
“Parapaguajmë akcizën, taksën e pullës fiskale dhe nuk kemi mundësi të blejmë lëndën e parë. Akciza e qelqit, nuk ka asnjë vend në botë që paguan akcizën për qelqin, qelqi është i riciklueshëm. Jemi shumë të ngarkuar nga pikëpamja fiskale. Nuk kemi konkurencë me vendet e rajonit. Kosova e ka 4 herë më pak koston e ujit krahasuar me ne.”
Për Bregasin, ekonomia jonë nuk ka shumë këllqe të bëjë lëvizje të forta, por disa lëvizje të vogla duhet ti bëjë për të rritur konkurueshmërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.