Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në Prishtinë përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilët përtej dallimeve politike lokale, kanë vendosur të mblidhen rreth një liste të përbashkët për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi.
“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, ka grumbulluar rreth vetes Partinë për Veprim Demokratik të udhëhequr nga Shaip Kamberi, Partinë Demokratike Shqiptare të Ragmi Mustafës, Lëvizjen e Progresit Demokratik të Shqipërim Musliut, Unionin Demokratik Shqiptar me Naser Azirin dhe Aleancën për Luginën, të përfaqësuar nga Armend Aliu.
“Diskriminimi në përfaqësim, pasivizimi i adresave, padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve janë çështje e brenga për të cilat ka nevojë që të flitet me zë të bashkuar e të koordinuar”, u tha në takim sipas njoftimit nga zyra për shtyp e Kurtit.
Kurti u uroi përfaqësuesve të këtyre pesë partive politike dakordimin e arritur dhe fushatë të suksesshme për zgjedhjet e 17 dhjetorit, që sipas tij, kanë rëndësi të veçantë për të siguruar përfaqësimin e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë si dhe për synimet e përbashkëta për drejtësi dhe barazi për shqiptarët si pakicë kombëtare atje.


Edhe politikani shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi ka njoftuar se me partnerët e listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kamberi shkruan se “shqiptarët e diskriminuar të Luginës nuk duhet e nuk guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi e pa përfaqësim të zëshëm”. Ai shton gjithashtu se Kurtin e njoftuan për rëndësinë e vazhdimit të përfaqësimit të shqiptarëve në parlament.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




