Gazeta Si – Rikthehet terrori në Paris. Një burrë sulmoi një grup turistësh, me një çekiç dhe një thikë, duke vrarë një person dhe duke plagosur dy të tjerë, në lagjen Grenelle, pranë Kullës Eifel, duke thirrur “Allah Akbar”.
Sulmuesi u arrestua dhe ai është një 26-vjeçar, Armand Rajabpour-Miyandoab, i lindur në Francë, por me origjinë siriane dhe i listuar si “në rrezik radikalizimi” dhe me probleme psikiatrike.
I arrestuar pas një ndjekjeje, ai tha se “nuk mund të duronte më për vdekjen e muslimanëve në Afganistan dhe Palestinë”. Viktima është një gjerman i lindur në Filipine.






Autori u klasifikua me germën “S”, që do të thotë se ai ishte një rrezik për radikalizim. Ai u ndalua nga policia falë përdorimit të armës “taser”. I lindur në Neuilly-sur-Seine, një periferi rezidenciale e Parisit, jetonte në Puteaux aty pranë.
Dokumenti i tij penal përfshin gjithashtu një arrestim të mëparshëm në vitin 2016 me një dënim të mëvonshëm me katër vjet burg, sepse po përgatiste një sulm të ngjashëm me atë të së shtunës në mbrëmje.
26-vjeçari ka vepruar sipas policisë me një thikë dhe një çekiç, me të cilin ka goditur dhunshëm një turist gjerman që po ecte në Quai de Grenelle pranë urës Bir-Hakeim, me pamje nga Kulla Eifel.
Sulmuesi është ndjekur për një kohë të gjatë nga policia, e njoftuar nga kalimtarët. Ndërkohë që partnerja e viktimës ka mbetur e plagosur.
Më pas, në Avenue du President Kennedy, një person i dytë u plagos në kokë, përsëri me një goditje çekiçi.
Në këtë rast do të ishte një turist anglez, i cili po ecte me gruan dhe djalin e tij kur sulmuesi i doli pas dhe e goditi.
Më pas 26-vjeçari u pikas dhe u rrethua nga policia, e cila, sipas ministrit Darmanin, i drejtoi një pistoletë paralizuese Taser, “pasi burri kishte duart në xhepa sikur të kishte eksploziv”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




