Kombetarja

Silvinjo për FIFA-n: Ëndrra është të shkoj në Botëror me Shqipërinë

Gazeta Si – Intervista e fundit e trajnerit të Kombëtares, Silvinjo, është ajo për FIFA-n, organizmin që drejton futbollin botëror. Trajneri brazilian ka folur për kualifikimin në Euro 2024, por edhe për të ardhmen, duke theksuar se ëndërron të shkojë në Botëror me kuqezinjtë.

“Objektivi kryesor është që të zhvillojmë një turne të denjë në Euro 2024. Objektivi i dytë është ta çojmë përpara planin tonë, ta kthejmë në traditë Europianin dhe të kualifikohemi në Kupën e Botës. Këtë Shqipëria nuk e ka arritur kurrë.

Silvinjo, trajneri i Kombetares shqiptare. Gazeta Si, 1 dhjetor 2023

Imagjinoni sikur të kemi një Europian të shkëlqyer vitin e ardhshëm dhe të arrijmë në çerekfinale. Do të ishte e mahnitshme, por nuk do të thoshte shumë, nëse nuk do ta ndiqnim këtë sukses dhe nuk do të vazhdonim zhvillimin tonë. Duam një turne të denjë në Gjermani dhe më pas të kemi mbështetjen e vendit, FSHF-së dhe lojtarëve për kualifikueset e Kupës së Botës.

Varet vetëm nga mbështetja që marrim për punën që bëjmë. Të gjitha së bashku rrisin shanset që Shqipëria një ditë të luajë në Botëror. Nuk do ‘çmendemi’, duke studiuar çfarë bëjnë Anglia, Spanja, Franca, Gjermania apo Portugalia, ata gjithmonë janë pretendentë. Ne shikojmë skuadrat që mund t’i imitojmë dhe Maroku është një pikë referimi për ne”, – ka thënë trajneri i kuqezinjve.

Silvinjo përmblodhi në fund edhe suksesin e kualifikueseve: “Gjithçka ka të bëjë me angazhimin në stërvitje, ka më shumë se 10 vjet që skuadrat mbrohen me 10 lojtarë. Mbrojtja më e mirë është vetë sistemi. Mund të kesh 3 qendërmbrojtës fantastikë dhe portierin më të mirë në botë, por nëse nuk ke përkushtim në punë, atëherë do pësosh gola”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë