Nga Gazeta ‘Si’- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nuk pritet të takohen gjatë samitit që nis nesër në Maqedoninë e Veriut, sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS.
“Uashingtoni nuk ka kërkuar takim dhe nuk do të ketë takim”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov.
Ditën e djeshme, Lavrov tha se do të marrë pjesë në Këshillin Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), që do mbahet në Shkup më nga 29 nëntor deri më 1 dhjetor, nëse Bullgaria hap hapësirën e saj ajrore për fluturimet ruse.
Sot (28 nëntor) Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë i dha leje avionit Lavrovit, për të fluturuar mbi Bullgari. Leja është e përkohshme dhe e vlefshme vetëm për këtë fluturim.
Sipas njoftimit, autorizimi për Lavrovin bie nën përjashtimin e regjimit të sanksioneve të BE-së kundër tij dhe “nuk vlen për anëtarët e delegacionit të tij, të cilët janë gjithashtu të sanksionuar me ligjin aktual të BE-së”.
Mbi 70 delegacione të vendeve anëtare dhe partnere të OSBE-së pritet të arrijnë në Shkup për takimin e kësaj jave.Sipas Lavrovit, disa përfaqësues të vendeve perëndimore kanë kërkuar tashmë takime me të gjatë samitit.
“Tashmë ka disa kërkesa për takime – duke përfshirë edhe përfaqësues perëndimorë”, tha Lavrov.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




