Policia arrestoi tre persona dhe po vijon punën për ndalimin edhe të gjashtë të tjerëve, të cilët i bën përgjegjës për kultivimin e më shumë se 10 mijë bimëve narkotike, të cilat janë asgjësuar tashmë gjatë operacioneve në zonat e thella malore të fshatrave Kir dhe Pult.
Këta 9 shtetas, të cilët vepronin si grup kriminal në fushën e narkotikëve dhe po hetohen në kuadër të operacionit “Alpe të Pastra”, dyshohet të kenë kultivuar bimë narkotike edhe në zona të tjera të Malësisë së Shkodrës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, si rezultat hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar të kultivimit të 10 274 bimëve narkotike, në fshatrat Kir dhe Pult, që janë gjetur dhe asgjësuar nga Policia, në muajin gusht 2023, në kuadër të fazës së 12-të të operacionit “Alpe të pastra”.
Si rezultat, janë kapur dhe ndaluar 3 prej autorëve të dyshuar, shtetasit: A. Sh., 34 vjeç dhe P. Sh., 41 vjeç, banues në fshatin Bardhaj; A. F., 23 vjeç, banues në Gramsh.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: Gj. Sh., 37 vjeç, A. Sh., 30 vjeç, A. Sh., 34 vjeç, F. Sh., 34 vjeç, M. Sh., 31 vjeç dhe A. Rr., 23 vjeç, banues në fshatrat Bardhaj dhe Grude e Re.
Këta shtetas kanë lidhje familjare dhe shoqërore me njëri-tjetrin dhe nga veprimet hetimore dyshohet se kanë bashkëpunuar duke vepruar në formën e grupi kriminal ku secili kishte rolin e tij, nga sigurimi i farave narkotike deri në kultivimin, prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




