Njerez

Rrëfimet e miqve dhe kolegëve për Chaplinin shqiptar

Nga gazeta “Si”-Mesditën e së premtes u nda nga jeta një nga figurat më të shquara të humorit shqiptar, Zef Deda.

Aktorja Zyliha Miloti teksa kujton kohën kur ka punuar me të, shprehet për Gazetën “Si” se u shua Chaplini shqiptar.

“Nuk dua ta besoj që kolegu jonë i shtrenjtë, lezeti i estradës së Shkodrës, benjamini i trupës nuk jeton ma! Kemi një jetë së bashku, jemi bërë nji e të pandarë! Kemi realizuar kryevepra që kanë mbetë për dekada me radhë e do të ngelin për shumë vite! U shua Çaplini shqiptar! Imituesi, pantonimisti i mrekullueshëm, artist i kompletuar, këngëtar, instrumentist, aktor, kompletist i gjithanshëm! Unik në llojin e tij!”, shprehet Zyliha Miloti për kolegun e saj, Zef Deda.

Ajo e thotë me bindje se “Zef Deda lind vetëm nji herë në jetë e kurrë më”.

“I dashur, i sinqertë, kavalier, me të gjitha vetitë e kishte pajisë Zoti! Humbje e madhe për familjen, shoqërinë dhe artin shqiptar, jo vetëm shkodran! Veprat artistike të tij janë të paharruara! Ai nuk do vdesë kurrë, ndonëse fizikisht nuk jeton ma! Pushoftë në paqe, po më dhemb shpirti kur po e them këtë fjalë. I përjetshëm kujtimi i tij! Lamtumirë i dashur kolegu ynë i paharruar Xhuzepe!”, vazhdon më tej aktorja Zyliha Miloti.

Edhe aktori Luftar Paja shprehet se është një ditë e zezë për humorin shqiptar, pasi siç thotë ai Zef Deda ishte “kripa e gjellës” në çfarëdolloj shfaqjeje.

“Zef Deda është një nga ato figura që ju qep mirë teatrit dhe estradës së Shkodrës, krahas figurave të shquara si Paulin Preka, Tano Banushi, Zyliha Miloti. Zefi ishte aktor me një plastikë të shkëlqyer. Me veprat e tij mund të themi pa frikë se ai ishte Charlie Chaplini shqiptar. Në shfaqjet që kam punuar me të ai ishte kripa e gjellës”, shprehet aktori Lufta Paja për Gazetën “Si”.

Loja me vërtetësi e personazheve, gjetja e detajeve, formimi dhe shpalosja e karaktereve sipas aktorit Afrim Agalliu, pjesë e grupit të Parodistëve të Vlorës e bëri Zef Dedën unik dhe tepër të dashur.

“Është një humbje shumë e madhe në radhë të parë për familjen, por sigurisht edhe për artin shqiptar, për humorin shqiptar, sepse iku një nga kolosët e humorit shqiptar. Zefin nuk do ta harrojmë kurrë sepse mbi të gjitha ishte një njeri i mrekulllueshëm, ai iku shpejt, shumë shpejt”, shprehet aktori i humorit, Afrim Agalliu.

Agalliu përveç anës profesionale të Zef Dedës, veçon edhe anën njerëzore të tij ndërsa rrëfen edhe lidhjen familjare, ku çdo ditë e natë e kaluar me të ishte e shoqëruar nga humori.

“Me të kam shumë kujtime, por unë nuk do të harroj kurrë vajtje-ardhjet tona në Shkodër, dhe ardhjen e tij në Vlorë. Dyert e familjeve tona ishin të hapura. Nuk harroj kurrë nënën e Zefit, e cila më priste me atë krapin e famshëm, që e gatuante dhe kalonim net të mrekullueshme nën humorin e Zefit. Neve u njohëm nga puna, por u bëmë si familje. Më vjen shumë keq që në këto ditë të vështira nuk ndodhemi pranë familjes së tij për t’i dhënë lamtumirën e fundit vëllait tonë”.

Aktorja e humorit, Zyliha Miloti i mëshon fort faktit se duhet të evidentohen vlerat e tij si artist, pasi artistë të një kalibri të tillë nuk i vijnë më vendit tonë. Ajo ndan detaje edhe se si ishte Zefi para një shfaqjeje, se si i shpërfaqte emocionet.

“Para shfaqjes Zefi veç bërtiste, bënte vokalica me hapë zërin, këndonte arie operash, por edhe na bënte me qesh të gjithëve. Ai ishte shumë ndihmues, i ndihmonte gjithmonë kolegët për objektet e shfaqjes”, përfundon aktorja Zyliha Miloti. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë