Nga Gazeta Si - Aktori i mirënjohur i humorit, Zef Deda është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare. Zef Deda mësohet se vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.
I cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë, Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë vendit, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit. Deda ka punuar për më shumë se 40- vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës dhe ka interpretuar shumë komedi si: "Vëllai nga babai", "Kollovari", "Big Brother Shkodra 1", "Big Brother Shkodra 2", etj.
Zef Deda e nisi karrierën e tij në moshën 5-vjeçare, në rolin e Antonit lypsar dhe prej atëherë, ai ishte aktori i preferuar i regjisorëve, të cilët kurdo që kishin një rol fëmije, zgjidhnin Dedën.
Deda ka folur me nota humori edhe në momente të vështira të jetës, duke qenë vetvetja dhe duke menduar për publikun që priste të qeshte sa herë e shihnin.
Në 2015, në një intervistë ai ka rrëfyer mes humorit, se ka pësuar ishemi cerebrale.
“Tani jam mirë. Pata një problem me këmbën dhe dorën përpara një viti. U ngrit tensioni, ishemi cerebrale, por që e kalova”, tha humoristi. Një vit më parë ai ka folur dhe një herë tjetër, duke thënë se ka kaluar 3 herë ishemi cerebrale, por “e di Zoti se kur vdes njeriu”, tha ai duke qeshur.
Për thuajse 4 dekada ai iu përkushtua skenës teatrale, në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. E ndonëse u shkollua në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë, lidhja me skenën, me televizionin dhe publikun e Shqipërisë ishte aq e fortë, sa asnjë nga ngjarjet që shënjuan jetën e këtij artisti, nga problemet me shëndetin, tek problemet me regjimin komunist, nuk do të ndikonte në këtë marrëdhënie.
I njohur për rolet e tij e kryesisht si kunati i shokut Xhemal, apo për ‘plastikën’ e jashtëzakonshme të një aktori shqiptar që mund të imitonte magjinë e Charlie Chaplin, Zef Deda mbetet në memorien e shqiptarëve si një ndër artistët e rrallë të skenës që la një pasuri të madhe.
Dyzet vite në teatër dhe mbi më shumë se 20 vite të tjera në botën e spektaklit në Shqipërinë post komuniste do ta bëjnë portretin e Zef Dedës, atë të artistit të pa kompromis që na dhuroi shumë buzëqeshje.
Deda ka treguar për median më herët se roli i preferuar i tij është ai i Lonit tek “Kunati i shokut Xhemal”, vepër për të cilën është menduar më parë të krijohet edhe një seri e dytë.
Me vdekjen e tij Shqipëria humbi një artist të rrallë humori, ndërsa Shkodra krenarinë e saj.
Aktorët të dëshpëruar për vdekjen e Zef Dedës
“Ka dy muaj që ishte në shtëpi dhe nuk lëvizte, sëmundja është konstatuar gati një vit më përpara. Por nuk pranoi të rrinte në shtrat, ka dalë ka lëvizur, e kemi takuar. Ka shëtitur edhe pse ishte i lodhur, Shpirti i tij prej artisti nuk e pranoi, ai s’ka ikur, do jetë përjetësisht në familjet shqiptare”, ka reaguar aktorja Drande Xhaj, e cila ka qenë partnere e tij në skenë.
Edhe Cekja i Beratit ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Zef Dedës.
“Nuk vjen më një aktor si Zef Deda. Kam kujtime të mrekullueshme, e kam pasur shumë shok dhe mik. Është humbje e madhe për humorin shqiptar”, tha ai.
Edmond Halili, i cili ka ndarë skenën me aktorin e ndjerë shprehet për median se largimi nga jeta i Zef Dedës është dhimbje e madhe dhe humbje për të gjithë humorin shqiptar.
“Sot në mëngjes u nisa nga Durrësi për ta takuar. E dija që ishte i sëmurë sepse bëra një shfaqje në Shkodër se takova dot sepse ishte i zënë. Sa shkova tek dera e shtëpisë, doli një infermiere i thashë si është Zefi, tha “Zefi dha shpirt”. Më erdhi shumë keq, e kisha shokë të vjetër. Është një dhimbje e madhe, është humbje e madhe për të gjithë humorin shqiptar. Jam me lot në sy. Ka qenë i mrekullueshëm. Nuk bën nëna me Zef”, tha ai për median.
Gjithashtu ka reaguar edhe drejtoresha e teatrit Migjeni në Shkodër Rita Gjeka e cila thotë se edhe pse diferenca në moshë me Zefin nuk është e madhe, “e kam pasur idhull. Ai ka qenë një aktor jo vetëm i madh, por fenomeni Zef Deda. Ka lënë një epokë”.
Ajo thotë se ai ka qenë drita e epokës ku kanë jetuar të gjithë artistët.
“Ai e donte shumë estradën dhe ndenja që ai kishte, e kishte që të ngrihej sa më shumë. Iku në një moshë krejt të re. Edhe në rini ka pasur disa probleme me këmbët por i kapërcente me humorin e tij. Tani e këputi sëmundja e keqe. Nuk kam shkuar ta takojë, pasi kisha qejf që ta mbaja mend Zefin ashtu siç ka qenë. Zefin e ka dashur gjithë populli, të gjithë e kanë vlerësuar”, tha ajo.
50 vite punë dhe nuk kemi shkëmbyer asnjë fjalë të keqe”, Çinari: Largimi i Zef Dedës, humbje e madhe
Aktori shkodran Besnik Çinari ka folur për ndarjen nga jeta të kolegut të tij, mjeshtrit të madh të humorit, Zef Deda.
Ai ka zbuluar se kanë punuar së bashku për 50 vjet dhe nuk kanë pasuar asnjëherë probleme.
Çinari e konsideroi Dedën, si të vetmin artist që bënte ‘shoë’ në Shqipëri, pasi i përshtatej çdo lloj roli. Sakaq, tha se largimi nga jeta e tij ishte një humbje e madhe për të gjithë.
“Lajmi për Zef Dedën na ka ardhur sikur të ndodhte në familjen tonë. Ne kemi hyrë në dekadën e 50-të që punojmë me Zef Dedën. Me një fjalë, për afro 50 vjet dhe nuk kemi shkëmbyer asnjë fjalë goje, sepse kemi punuar si shokë. Ishte një mjeshtër i vërtetë, madje në një shfaqje që është dhënë kanë bërë shoë shumë artista dhe unë kam thënë që i vetmi artist që bën për shoë në Shqipëri është Zef Deda. I ka rënë të tëra veglave, ka qene akrobat, ka qene kloun, ka pasur zë fenomenal për parodi. Ka qene shumë i madh, por i ra sëmundja. Ishte humbje e madhe për familjen në radhë të parë, për ne si Teatër Migjeni, për popullin e Shkodrës, për popullin shqiptar dhe mbarë kombëtar”, u shpreh Çinari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.