Gratë shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët rrezikojnë shëndetin nga ndryshimi i klimës.
Sipas dokumentit të titulluar “Mbrojtja e shëndetit të nënave, të porsalindurve dhe fëmijëve nga efektet e ndryshimeve klimatike”, efektet e ngjarjeve klimatike në shëndetin e nënave dhe fëmijëve janë neglizhuar, nënraportuar dhe nënvlerësuar.
Në raportin e OBSH theksohet se planet e shumë pak vendeve për ndryshimin e klimës përfshijnë shëndetin e nënës ose të fëmijës. Konkretisht, dokumenti flet për “një vëmendje të pamjaftueshme ndaj nevojave të grave, të porsalindurve dhe fëmijëve”.
Viti 2023 pa një seri katastrofash klimatike. Zjarret, përmbytjet, valët e të nxehtit dhe thatësirat zhvendosën njerëzit, shkatërruan të korrat dhe bagëtinë dhe përkeqësuan ndotjen e ajrit.
Ndërkohë, një botë që po ngrohet po rrit përhapjen e sëmundjeve vdekjeprurëse si kolera, malaria dhe ethet e dengës, me pasoja shkatërruese për gratë shtatzëna dhe fëmijët, për të cilët këto infeksione mund të jenë veçanërisht të rënda, sipas agjencive të Kombeve të Bashkuara.
Hulumtimet tregojnë se dëmtimi mund të fillojë edhe në mitër, duke çuar në komplikime të lidhura me shtatzëninë, lindje të parakohshme, peshë të ulët të lindjes dhe vdekje të foshnjes. Për fëmijët, pasojat mund të zgjasin gjithë jetën, duke ndikuar në zhvillimin e trupit dhe trurit të tyre ndërsa rriten.
Thirrja për veprim nënvizon shtatë parametra për të adresuar rreziqet në rritje. Këto përfshijnë reduktimin e vazhdueshëm të emetimeve të gazeve serrë dhe veprimin për financimin e klimës, krahas përfshirjes specifike të nevojave të grave shtatzëna, foshnjave dhe fëmijëve në politikat e lidhura me klimën dhe fatkeqësitë. Agjencitë nga Kombet e Bashkuara po bëjnë gjithashtu thirrje për më shumë kërkime për të kuptuar më mirë efektet e ndryshimeve klimatike në shëndetin e nënës dhe fëmijës.
Ky paralajmërim erdhi nga OBSH, UNICEF dhe UNFPA në një ngjarje të prezantimit në internet, së bashku me një shënim informues avokues nga Partneriteti për Shëndetin e Nënës, të Porsalindurve dhe Fëmijëve (PMNCH).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



