Gazeta Si – Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e të martës në aksin rrugor Kavajë-Durrës, ku një automjet ka përplasur një këmbësor.
Viktima nuk është identifikuar ende, thotë policia. Ndërsa drejtuesi i mjetit, një 27-vjeçar me inicale T.S., është shoqëruar në komisariat për t’u pyetur për rrethanat e aksidentit.

Më herët, po mbrëmjen e të martës, një aksident i rëndë ndodhi në afërsi të fshatit Bajkaj të Delvinës.
Policia njoftoi se një i mitur ka qenë duke drejtuar makinën tip “Benz”, kur ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe automjeti ka përfunduar në një përrua.
Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar i mituri që drejtonte makinën dhe 2 të mitur të tjerë që udhëtonin me këtë automjet të moshave 13 dhe 15 vjeç.
Shoferi 14-vjeçar ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore dhe është transportuar me helikopter te Trauma në Tiranë, ndërsa dy të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën po ashtu me dije se është arrestuar babai i njërit prej të miturve, pasi 41-vjeçari i ka dhënë të birit mjetin për ta drejtuar.
Policia ka bllokuar automjetin, i cili dyshohet se është në pronësi të babait të njërit prej të miturve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




