Kosova

Lumir Abdixhiku rizgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Lumir Abdixhiku u rizgjodh të dielën kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Zgjedhja e tij u bë në konventën e dhjetë të kësaj partie, e cila u mbajt në Prishtinë.

Ai u zgjodh me votim të hapur dhe pa asnjë kundër kandidat.

Pas votimit, zoti Abdixhiku tha se do të drejtojë partinë me synimin për t’u rikthyer në udhëheqjen e shtetit.

Zoti Abdixhiku gjatë fjalimit të tij tha se qeveria aktuale e Kosovës po udhëhiqet nga populistë mosbesues të saj, dhe me një rrugë polarizuese, ndarëse e përqarëse që nuk i lejon vendit të bëjë hapa të mëdhenj.

Në mars të vitit 2021 zoti Abdixhiku ishte zgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike në një kohë kur kjo parti u përballë me humbjen e saj më të thellë në zgjedhje që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i lindur në vitin 1983, u bashkua me këtë parti në vitin 2017. Me gradën e doktorit të shkencave në fushën e ekonomisë, zoti Abdixhiku me parë kishte punuar në institutin “Riinvest” në Prishtinë.

Lidhja Demokratike, partia më e vjetër në vend u themelua në vitin 1989 dhe për 16 vjet me radhë ishte drejtuar nga Ibrahim Rugova, ish president i Kosovës.

Pas vdekjes së tij në janar të vitit 2006, kjo parti u nda në Kuvendin e gjashtë zgjedhor dhe në nëntor të vitit 2007, për herë të parë humbi në zgjedhje.

Që nga vdekja e ish presidentit Rugova, ajo u drejtua nga Fatmir Sejdiu, ish president i Kosovës i cili u pasua në krye të partisë nga Isa Mustafa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë