Kombetarja

Qasja perfekte taktiko-mentale, si Silvinjo krijoi me thjeshtësi Shqipërinë spektakolare!

Nga Fatjon Rupi – Shqipëria nuk ka pasur ndoshta kurrë kaq bollëk lojtarësh dhe kaq kualitet në skuadër. Kjo është një arsye e fortë që ka siguruar Europianin dhe me shumë mundësi edhe vendin e parë në grup, pas ndeshjes me Ishujt Faroe. Një arsye tjetër po kaq e fortë është se ka gjetur trajnerin dhe stafin ideal.

Me shumë thjeshtësi Silvinjo ka krijuar një Shqipëri spektakolare në një kohë rekord. Meritat e tij janë të padiskutueshme dhe rinovimi as që duhet të diskutohet. Çdo kosto financiare ia vlen.

Kombëtarja e Silvinjos ka pa dyshim një qasje perfekte në fushë, si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë mental. Të gjithë u japin ‘remave’ në të njëjtin drejtim dhe ‘anija’ kuqezi çan përpara. Si ia doli braziliani në kaq pak kohë?

Studim me detaje i lojtarëve
Silvinjo nuk erdhi në Shqipëri me madhështinë e të qenit një ish-lojtar i Mançester Siti dhe Barcelonës, apo ndihmës i Tites te Brazili. Përkundrazi, ai erdhi me shumë përulësi dhe filloi punë voluminoze të studimit të çdo lojtari që ka lidhje me fanellën kuqezi. Orë e orë të tëra vazhgim lojtarësh në ndeshjet me klubet e tyre.

Në fund ai bëri zgjedhjet e tij në emra dhe po ashtu zgjodhi edhe skemën e lojës që përshtatet më shumë për ta. Praktikisht e kundërta e asaj që bënte Reja, i cili erdhi në Kombëtaren tonë me stereotipin e tij klasik. Italiani vendosi lojtarët në 3-5-2-shin e tij të famshëm dhe nuk e përcaktoi skemën në bazë të lojtarëve.

Silvinjo bëri të kundërtën e italianit dhe dallimi është i qartë për këdo. Trajneri aktual ndoqi rrugën e thjeshtë dhe atë më të drejtën.

Shqipëria e këtyre eliminatoreve ishte një skuadër spektakolare në fushë, një makineri thuajse perfekte, që krijon raste, mbrohet në grup dhe lë pak hapësirë për kundërshtarin. Kombëtarja tashmë është një skuadër që në çdo moment të jep besimin se do të marrë rezultat.

Aftësia për të krijuar atmosferë pozitive
Përveç arritjes taktike, Silvinjo ka meritë të veçantë edhe për atmosferën që ka krijuar në Kombëtare. Një aftësi kjo e brazilianit, që në një grup me 25 lojtarë të mos ketë asnjë të pakënaqur. Me të të gjithë janë të lumtur.

Silvinjo ne stervitje bashke me lojtaret. Gazeta Si, 18 nentor 2023

Pozitiviteti i trajnerit të ri dhe stafit të tij në fakt u vu re që në ditët e para të punës. U evidentua madje si një element që do të jepte rezultat në rritjen e skuadrës. Dhe kështu ndodhi. Silvinjo çliroi së pari mendjen e çdo futbollisti dhe më pas arriti të marrë prej secilit më të mirën.

Qëndrimi në stol nuk është problem për asnjë emër, sado i rëndësishëm qoftë ai. Çdokush e di mirë se çfarë është më e rëndësishme në Kombëtare dhe se çfarë duhet të bëjë edhe kur luan një minutë.

Kjo orkestër kaq e mirë patjetër që kishte nevojë për një dirigjent po kaq të mire, si Silvinjo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë