Gazeta Si – Shqipëria shkon në Europianin e Gjermanisë nga dera kryesore. Krenare si kurrë më parë. Ky sukses, i dyti në histori, nuk është aspak kombinim e një sërë faktorësh: fatit, pikëve në tavolinë, dënimit të një rivali apo diçka tjetër.
Kuqezinjtë e kanë arritur gjithçka me djersë dhe punë, duke bindur në çdo aspekt. Nën drejtimin e një trajneri adapt për ne, si Silvinjo.
Dhe ata që nuk gënjejnë në sport janë numrat, që për Shqipërinë janë numra të një ekipi të madh. Janë 14 pikë dhe 1 ndeshje e paluajtur ende. Janë 4 fitore, 1 humbje dhe 2 barazime në 7 ndeshje. Golaverazhi +8, me 12 gola të shënuar dhe 4 të pësuar.
Kombëtarja shqiptare ka fituar të gjitha ndeshjet në ‘Air Albania’, ku ka mundur 2-0 Moldavinë, po 2-0 Poloninë dhe 3-0 Çekinë. Fitore mjaft bindëse, me 0 gola të pësuar dhe lojë spektakolare. Jo më kot stadiumi ka qenë ‘sold out’ në çdo ndeshje.
E gjitha kjo ecuri ka bërë që Shqipëria tashmë ta ngrejë stekën shumë lart. Rrjedhimisht, edhe pritshmëritë janë të mëdha, kështu që për trajnerin Silvinjo dhe djemtë e tij del detyra që të ecin në këtë vazhdë edhe në Europianin e verës së ardhshme. Tani jemi vërtet një skuadër për t’u pasur frikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.