Kosova

Stoltenberg vizitë në disa vende të rajonit, të hënën takon Kurtin dhe Osmanin në Kosovë

Nga Gazeta 'Si'-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të vizitojë Kosovën të hënën(20 nëntor) në kuadër të një vizite në disa vende të Ballkanit.

Ai pritet të takohet me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurtin, në pasditen e së hënës.

Sipas njoftimit të NATO-s, Stoltenberg do ta nisë vizitën në Ballkan fillimisht në Bosnje-Hercegovinë, gjatë paradites së 20 nëntorit. Të nesërmen do të jetë në Serbi dhe Maqedoni të Veriut ku do të qëndrojë edhe më 22 nëntor.

Zyrtarët shtetërorë të Kosovës kanë shprehur disa herë synimin për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës, e ka përmendur se synon që vendi të anëtarësohet në programin e NATO-s, Partneriteti për Paqe. Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë vendim të Kosovës, ndonëse kanë tërhequr vërejtjen se për një anëtarësim të tillë duhet miratim i të gjitha vendeve të aleancës.

Nga 31 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 27 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende jo.

Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë