Kombetarja

Silvinjo i vendosur: Asgjë nuk ka përfunduar, Shqipëria luan vetëm për fitore

Gazeta Si – Shqipëria pret që në Moldavi, pas ndeshjes që do të luajë nesër me ekipin vendës, të certifikojë kualifikimin në Gjermani 2024. Trajneri Silvinjo, ‘arkitekti’ i këtij suksesi, në konferencën për shtyp u shfaq i përmbajtur, si gjithmonë.

Braziliani, që në krah kishte kapitenin Berat Gjimshiti, u shpreh se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, sepse kundërshtari është i fortë. Ai nuk bën llogari, por kërkon nga skuadra vetëm fitoren.

“Barazimi në futboll është pasojë, jo një qëllim i njërës apo tjetër skuadër. Të dyja skuadrat hyjnë në fushë për fitore dhe kur në fund del barazim, është vetëm një pasojë. Ne do të futemi në fushë vetëm për të fituar. Ata kanë një skuadër të fortë, nuk kanë humbje në shtëpi, kanë mundur Poloninë në një ndeshje shumë të fortë.

Lojtarët janë të qetë, të ndërgjegjshëm për rëndësinë e ndeshjes. Kemi bërë një ndeshje të bukur në shtëpi me Çekinë, por nuk ka përfunduar. Nuk mendojmë çfarë ndodh pas ndeshjes, nuk ndryshon asgjë sa i takon forcës sonë. Moldavia ka lojtarë shumë të mirë, ka individualitete, është skuadër e fortë, sidomos në fushën e vet. Kemi një finale përpara, një ndeshje përcaktuese.

Moldavia është skuadër fizike, ka lojtarë të gjatë dhe shënon me goditjet standarde. Duhet të marrim masa, sepse, siç e thashë, është finale dhe mendojmë vetëm për Moldavinë. Me gjithë respektin për ta, do të kërkojmë fitoren. Nuk mendoj se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, mendoj vetëm për këtë ndeshje. Strategjia jonë nuk ndryshon në fushë”, – theksoi trajneri Silvinjo mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë