Njerez

Udhëtimi në kohë / Po sikur ta takoni veten tuaj të ardhshme?

Përfytyrimi i një bisede me "të ardhmen tënde" ka përfitime të shumta për mirëqenien tuaj.

Është një histori e shkurtër klasike nga Ted Chiang në të cilën një tregtar i ri udhëton vite përpara dhe takon veten e tij të ardhshme. Gjatë rrjedhës së tregimit, ai merr paralajmërime, premtime dhe këshilla nga versioni më i vjetër dhe më i mençur i vetvetes. Këto parandjenja më pas ndryshojnë rrjedhën e jetës së tregtarit derisa ai përfundimisht bëhet një burrë i moshuar, i cili takohet me veten e tij më të re dhe i jep të njëjtën mençuri.

Skenarët si ky janë jashtëzakonisht të njohura dhe janë eksploruar në shumë romane të tjera, si dhe në filma.

Për arsye të dukshme, këto rrëfime janë zhvendosur gjithmonë në fushën e fantashkencës. Por, çka nëse mund të takoni veten tuaj të ardhshme? Një pyetje shumë e çuditshme, por që besoj se ia vlen të bëhet.

Unë jam psikolog dhe profesor, kështu që e kuptoj se të flasësh për implikimet hipotetike të udhëtimit në kohë mund të tingëllojë e çuditshme nga dikush në karrierën time. Por kërkimi im gjatë 15 viteve të fundit nuk është edhe aq larg kësaj teme. Unë jam fokusuar kryesisht në mënyrën se si njerëzit mendojnë dhe lidhen me veten e tyre të ardhshme dhe së fundmi botova një libër mbi këtë temë. Në të, unë eksploroj arsyet pse e kemi kaq të vështirë të marrim vendime afatgjata dhe se si, duke përmirësuar lidhjet emocionale që kemi me veten tonë të ardhshme, përfundimisht mund të bëjmë zgjedhje më të mira.

Në kërkimin tim, kam mësuar se ne shpesh e imagjinojmë veten tonë të ardhshme si një person tjetër. Kjo tendencë mund të na krijojë probleme. Për të kuptuar arsyen, mendoni për dikë në jetën tuaj që mezi e njihni, një fqinj ose një bashkëpunëtor, për shembull. Nëse ai i huaj do t’ju kërkonte të bëni një sakrificë për përfitimin e tyre, ju mund të refuzoni me mirësjellje. Nëse e trajtojmë veten tonë të së ardhmes në të njëjtën mënyrë, atëherë ka kuptim pse ne ndonjëherë u dorëzohemi dëshirave afatshkurtra në vend që të bëjmë diçka për të cilën do të ndihemi më mirë në planin afatgjatë.

Një mënyrë për të kapërcyer hendekun emocional është të mendosh për veten e ardhshme në mënyra më konkrete dhe të gjalla. Ajo që është e gjallë është emocionale dhe ajo që është emocionale mund të na shtyjë në veprim. Në një studim të kohëve të fundit, për shembull, bashkëpunëtorët e mi dhe unë bëmë partneritet me një bankë dhe zbuluam se kur klientëve u shfaqeshin imazhe të moshës së tyre së bashku me mesazhe inkurajuese për kursimet për pension, ata kishin rreth 16% më shumë gjasa për të dhënë një kontribut pensioni sesa njerëz që morën vetëm mesazhet inkurajuese. Një punim tjetër ka zbuluar se shkrimi i letrave për, dhe më pas nga vetja e ardhshme mund të forcojë në mënyrë të ngjashme lidhjen midis vetes aktuale dhe asaj të ardhshme.

Pa dyshim, t’u tregosh njerëzve imazhe të fytyrës së tyre më të vjetër, ose t’i bësh ata të përfshihen në një bisedë hipotetike, janë shumë larg nga takimi i vërtetë i vetvetes së ardhshme. Por është e imagjinueshme që ndërveprime shumë më të pasura mund të ndodhin në të ardhmen e afërt përmes inteligjencës artificiale.

Po sikur një model i AI i ngjashëm me Chat-GPT të mund të trajnohej mbi përvojat e jetës së njerëzve individualë? Këto modele janë bërë jashtëzakonisht të zgjuara duke mësuar nga grupe të gjera të dhënash rreth mënyrës se si komunikojnë qeniet njerëzore dhe ato në thelb funksionojnë duke bërë parashikime. Nëse një model i tillë përfshin gjëra të tilla si vendlindja juaj, historia arsimore, personaliteti, marrëdhëniet dhe hobi dhe ato të miliona njerëzve të tjerë gjithashtu, mund të jetë në gjendje të bëjë një parashikim për personin që do të jeni pas 10 ose 20 vjetësh. Për të qenë të qartë, modeli nuk do të parashikonte saktësisht se çfarë zgjedhje do të bënit.

Tani, imagjinoni të bisedoni me atë versionin tuaj të ardhshëm në të njëjtën mënyrë që mund të bisedoni me një mik ose një të dashur tani. Çfarë do të pyesnit?

Tetë pyetje për t’i bërë vetes së ardhshme

Për t’u kthyer te pyetja ime origjinale: nëse do të mund të udhëtonit në kohë për të takuar veten tuaj të ardhshme, për cilat aspekte të jetës suaj do të dëshironit të dinit më shumë? Dhe nëse do të hiqnit dorë nga takimi, pse?

Kam menduar shumë se çfarë do të bëja. Instinkti im i parë do të ishte të pyesja veten time të ardhshme për gjëra të tilla si… a je i lumtur? A janë anëtarët e familjes të lumtur dhe të shëndetshëm? A është mjedisi i sigurt për nipërit dhe stërnipërit?

Sa më shumë i shqyrtoja këto pyetje fillestare, aq më shumë e kuptoja se sa shumë isha i shqetësuar për atë që do të kishte e ardhmja.

Por duke e reflektuar më tej, kuptova se pyetjet më të fuqishme do të ishin ato që më ndihmuan të bëja zgjedhje më të mira sot. Me këtë qëllim, unë mund të krijoj disa pyetje që synojnë të nisin një dialog midis dy vetave të mia, të tilla si:

– Për çfarë ke qenë më shumë krenar dhe pse?

– Në çfarë mënyrash, pozitive dhe negative, ke ndryshuar me kalimin e kohës?

– Cila është diçka që të mungon më shumë nga fillimi i jetës?

– Për çfarë veprimesh je penduar?

– Çfarë veprimesh nuk ke bërë për të cilat je penduar?

– Cila është periudha kohore që do të dëshiroje më shumë ta përsërisje?

– Cilave gjëra duhet t’u kushtoj më shumë vëmendje tani?

– Për cilat gjëra duhet të shqetësohem pak më pak?

Imagjinoni sikur t’i bëni këto tetë pyetje vetes suaj të ardhshme. Çfarë mund të zbuloni që do të ndryshonte mënyrën se si jetoni tani? Ndoshta do të ishte biseda më e rëndësishme e jetës suaj.

Megjithatë, e vërteta është se ju nuk keni nevojë të prisni udhëtimin në kohë ose AI të avancuar për përgjigjet sipas të cilave mund të veproni. Nëpërmjet kërkimit tim si psikolog, kam mësuar se thjesht duke marrë pak kohë për të ‘fotografuar’ këtë takim mund t’ju ndihmojë të bëni zgjedhje më të mira tani, duke mbyllur hendekun emocional midis asaj që jeni sot dhe kush do të jeni nesër. Gjithçka që ju nevojitet është pak imagjinatë dhe gatishmëria për ta vënë veten në vendin e një personi që aktualisht e trajtoni si të huaj.

*Hal Hershfield është profesor i marketingut, vendimmarrjes dhe psikologjisë në Shkollën e Menaxhimit Anderson të UCLA-së.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë