Treg

Bie kërkesa për kredi / Konkurrenca midis bankave lehtësoi kushtet e huamarrjes për qytetarët

Nga Gazeta ‘SI’ – Kërkesa për kredi në vend vlerësohet në rënie gjatë 2023-shit, kombinuar nga një sërë faktorësh pozitivë dhe negative për bizneset.

Analiza e fundit e Bankës së Shqipërisë tregon se bizneset kërkuan më pak kredi, për shkak të fitimeve më të larta të tyre, ndërsa individët për shkak të reduktimit të fuqisë paguese dhe shtrenjtimit të përgjithshëm të kredisë.

BSH thekson se bankat tregtare lehtësuan kredinë për individët gjatë 2023-shit, më shumë se sa për bizneset.

Sipas Bankës së Shqipërisë, një ndër faktorët me ndikimin më të madh në lehtësimin e kushteve të huasë ishte konkurrenca e shtuar midis bankave. Kështu, në kreditë e reja gjatë muajve të fundit, bankat ulën normat dhe kërkesat për kolateral, duke miratuar kredi më të madhe për individët.

Nga ana tjetër, për bizneset kushtet e kreditimit nuk kanë ndryshuar, por njëkohësisht kërkesa e tyre për hua në banka është ulur. BSH tregon se kjo ka ardhur si pasojë e përmirësimit të gjendjes financiare të bizneseve në vend. Sipas madhësisë së bizneseve vërehet tkurrja e kreditimit të biznesit të madh, ngadalësimi i kreditimit të biznesit të mesëm dhe përmirësimi i kreditimit të biznesit të vogël. Sipas sektorëve të ekonomisë, vërehet tkurrja e kredisë në sektorin e industrisë, përmirësimi i saj në sektorin e shërbimeve dhe ngadalësimi në sektorët e tjerë.

Financimi i bizneseve dhe i individëve ka qenë në lekë, i ndikuar ndër të tjera nga normat më të ulëta të interesit për kreditë në lekë dhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Këta faktorë kanë shtyrë bizneset dhe individët të zhvendosin një pjesë të portofoleve të kredive të tyre nga valuta në lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë