Njerez

Lamtumira e Rafael Duamenës dhe çfarë fshihej pas lojës dhe familjes së tij…

Nga Gazeta Si – Rafael Duamena u largua përfundimisht mesditën e së mërkurës nga Shqipëria drejt vendit të tij. Një tranzit në Austri dhe në Bruksel dhe sot drejt vendlindjes së tij, në Ganë.

Në këtë formë mbylli aventurën e tij tragjike me futbollin dhe jetën, duke lënë pas pikëllim, por dhe jo pak probleme për këdo që i dha sërish mundësinë që të ushtronte profesionin e tij prej futbollisti, që i dha shpresë për atë që ai vetë kërkoi me çdo çmim.

Duamena duke festuar pas nje goli ndaj Partizanit. Gazeta Si, 16 nentor 2023

Ai u rrit në një qytet të largët në Ganë, i quajtur Kumasi, ku prindërit e braktisën dhe u rrit nga gjyshërit, deri kur u bë pjesë e kombëtares ganeze dhe që bashkë me statusin iu shtuan dhe të ardhurat. Dhe kur je me para, të afrohen të gjithë, madje edhe prindërit.

Gjithsesi, ai nuk iu përgjigj më askujt, por vazhdoi karrierën, që u ndërpre pas analizave te Brajton, ku ishte gati të firmoste një kontratë prej 10 milionë sterlinash, duke kaluar nga Levante. Dështimi i atyre analizave i hapën rrugë një faqeje të re të historisë së tij, jo më të sukseseve sportive, por të problemeve mjekësore.

Duamena dhe aventura e tij në Ukrainë, përpara Egnatias
Pas shumë vitesh lëvizjesh, sa në një vend në tjetrin, në verën e vitit 2022 ai merr kontaktet me menaxherin shqiptar të futbollistëve, Arbi Laçi, dhe ende pa u prezantuar në klubet shqiptare, arrin marrëveshjen në Ukrainë me skuadrën Zaria Lugansk dhe luan me të ndeshjet miqësore në Poloni për shkak të luftës.

Megjithatë, pasaporta e tij ganeze donte vizë, e cila nuk u arrit brenda mbylljes së merkatos dhe kështu që në dhjetor të 2022 mbërriti në Tiranë dhe nga janari, me gjithë testet mjekësore të kaluara, filloi aventurën shqiptare me Egnatian. 10 muaj, 23 ndeshje, 20 gola, shifra prej sulmuesi race, por gjithmonë me rrezikun se gjithçka mund të ndodhte nga një moment në tjetrin.

Bisedat me trajnerin e tij
I pyetur nga gazeta SI, Edlir Tetova, trajneri i Egnatias, tregon se, ai ishte i bindur në forcën e tij dhe besimi në Zot, gjë që e bënte të ecte pa pengesa.

Trajneri Tetova dhe presidenti i Egnatias, Demrozi. Gazeta Si, 16 nentor 2023

‘Rafa, kemi ngarkesa fizike të mëdha sot, të të bëj ndonjë program personal më të lehtë?’
‘Profesor, mos e diskuto më këtë bisedë, unë s’kam asgjë, do të bëj si të gjithë të tjerët, vetëm Zoti e di për ne se çfarë do të ndodhë.’
‘Një besim i frikshëm në Zot dhe te fuqitë e tij, ishte i pabesueshëm. Nuk do të më bjerë radha të punoj më me një lojtar dhe djalë si ai…,” – tregon Tetova.

Ceremonia private në Tiranë
Mbrëmjen e së martës në Tiranë, morgu bëri gati dokumentacionin dhe trupi i Rafael Duamenës dërgohet në një shtëpi funerali, ku bashkëshortja, disa shokë të ekipit këtu, por edhe drejtuesit e klubit Egnatia ishin pranë arkivolit për të nderuar për herë të fundit shokun, futbollistin dhe njeriun e tyre të afërt, që nuk jetonte më.

Paralelisht, Federata e Futbollit të Ganës kishte marrë përsipër pritjen e arkivolit për t’i kryer edhe një ceremoni lamtumire, por në momentin e fundit u tërhoq. Grumbullimi i kombëtares për eliminatoret e Botërorit ia bëri të pamundur federatës ganeze që ta presë e si rrjedhojë i gjithë ngërçi zgjidhet nga i ati, që shpreh gatishmërinë për ta pritur.

Rigjetja e prindërve… pas vdekjes!

Një i afërm i Rafaelit dhe bashkëshortes së tij, në kushte anonimati për shkak të situatës dhe gjendjes ende pa një përfundim si duhet, tregoi për Gazetën Si se “historia familjare e tij është e komplikuar. Në Afrikë apo Ganë, por ndoshta edhe kudo, kur një njeri bëhet i famshëm, shihet si një mënyrë përfitimi dhe momenti i vdekjes, kur mund të ndahen edhe ato kursime të tij. Janë shumë për njerëzit që jetojnë në Afrikë.

“Bashkëshortja e tij nuk pranohet nga prindërit dhe gjithçka tashmë bëhet për të përfituar ato çfarë mund të përfitohen nga paratë e tij, apo të siguracionit” – thotë ai.

Gjithsesi, tashmë gjërat u përkasin atyre, trupi i Rafael Duamenës u largua nga Tirana, ndërkohë që bashkëshortja dhe pastori tij i kishës, i mbërritur nga Gana, u larguan mëngjesin e së enjtes drejt vendit të tyre.

Duamena dhe bashkëshortja e tij prisnin të bëheshin prindër…
Në mënyrë ekskluzive mësohet se bashkëshortja e Duamenës kishte mbërritur prej rreth 1 muaji në Shqipëri me një qëllim, që të bëheshin prindër. “Kishin kohë që e kërkonin një gjë të tillë dhe mund të them që me shumë gjasë bashkëshortja e tij u largua shtatzanë nga Shqipëria,” – saktëson i njëjti burim.

Kontrata 1 milion euro… për në dhjetor
Këto ishin ditët e fundit të Duamenës në Shqipëri edhe nëse ai do të jetonte. Prej pak kohësh ai kishte rënë dakord për një trasnferim në Arabinë Saudite, për një kontratë prej 1 milion eurosh. Vetë lojtari kishte 20% të kartonit të tij dhe kjo ishte arsyeja përse në verën e shkuar përpara fillimit të sezonit në Shqipëri ai refuzoi rreth 600.000 mijë euro nga Astana në Kazakistan, apo kish refuzuar më parë edhe oferta nga Zamalek dhe Al Ali në Egjipt.

Megjithatë, sot këto janë ndoshta të tepërta, pasi Rafael Dëamena iku fizikisht, ndërkohë që në Shqipëri la emrin dhe famën e një futbollisti të mirë dhe të një njeriu edhe më të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë