Ka ndodhur

Identifikohet trupi që u gjet i dekompozuar në fshatin Xarrë, trupi i bariut u copëtua nga kafshët e egra

Gazeta Si – Adnant Jaupi, është 53-vjeçari nga Elbasani, trupi i të cilit u gjet i dekompozuar në fshatin Xarrë në Bashkinë Konispol.

Sipas policisë, ai ka humbur jetën nga shkaqe natyrale dhe se trupi i tij i gjetur i ndarë, është copëtuar nga kafshë të egra. Mësohet se 53-vjeçari nga Elbasani punonte si çoban në Xarrë dhe kishte rreth 2-3 muaj që ishte zhdukur.

Nga hetimi nuk konstatohen shenja goditjeje me mjete të forta apo plumbi, ku për pasojë t’i kishte ardhur vdekja.

Trupi i tij, fillimisht koka dhe pastaj trupi i dekompozuar, por i pagroposur, u gjet i fshehur në një tunel me gjerësi rreth 1 metër dhe gjatësi 3-4 metër.

Madje tek vendi ku u gjet kufoma kishte ende erë të rëndë dekompozimi. Sipas burimeve, mësohet se vdekja mund të ketë qenë për shkaqe natyrale.

Identifikimi u krye nga mjekësia ligjore, por edhe pas hetimit nga policia e Sarandës, pasi ishin interesuar edhe familjarë të tij.

Fillimisht u dyshua se kufoma mund t’i përkiste njërit prej të zhdukurve në 7 prill të këtij viti, Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, familjarët e të cilëve prej 8 muajsh nuk kanë asnjë informacion për fatin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë