Kosova

Nesër takimi i kryenegociatorëve në Bruksel, pala serbe: Do diskutohet drafti i Asociacionit

Nga Gazeta ‘Si’ – Një ditë para takimit në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, pala serbe thekson, se në takimin e 16 nëntorit diskutohet drafti i statutit të Asociacionit. Ndërsa Qeveria e Kosovës nuk ka konfirmuar por as mohuar një gjë të tillë.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç takohen të enjten me ftesë të ndërmjetësit evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ky i fundit një ditë më parë ishte në Beograd ku takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Lajçak, pas vizitës në Beograd, shkroi se me presidentin Vuçiç dhe kryenegociatorin Petkoviç, “diskutoi mbi rrugën përpara në dialog”.

Raundi i ri i dialogut në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç më 26 tetor zhvilluan takime të ndara në Bruksel me liderët e BE-së, Presidentin e Francës, Kancelarin e Gjermanisë dhe kryeministren e Italisë.

Scholz, Macron dhe Meloni, i kërkuan Kosovës që ta  formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa,  Serbisë të njohë de facto pavarësinë e Kosovës.

Pas takimit të 26 tetorit në Bruksel me udhëheqësit kryesor evropianë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se “ishte  i gatshëm të nënshkruante projektin për Asociacionin”. Nga ana tjetër Vuçiç, propozimin për Asociacionin e ka cilësuar si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve, por disa herë e ka theksuar qartë se, “nuk do të pranojë asgjë që çon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”, pavarësisht kërkesës ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë