Nga Gazeta ‘SI’ – Tregu i sigurimeve vendas po përjeton ditët më të mira, ku vetëm për periudhën janar-shtator ka parë rritje të ardhurash me 10%. Përkthyer në shifra, vlera kalon 17 mld lekët.
Rritja e të ardhurave ka ardhur si pasojë e rritjes së kontratave të lidhura, të cilat janë rritur me 11.4% duke arritur 1.09 mln të tilla.
Sigurimet dominohen përsëri nga ato të jo-jetës, që mbajnë 92% të tregut, 7.9% ato të jetës dhe 0.07% risigurimet. Rreth 60% e totalit janë sigurime të detyrueshme, kryesisht motorike, mbi 10 mld lekë.

Për të njëjtën periudhë, kompanitë e sigurimeve kanë paguar edhe më shumë për dëmet, rreth 3% më shumë, duke iu afruar vlerës së 5 mld lekëve. Nga këto 3.5 mld janë dëme motorike.
3.2 mld lekë shkuan në portofolin e sigurimit të pronës, ku 65% ishte për zjarrin dhe dëmtime të tjera në pronë, sigurim që është rritur me 19% nga viti i shkuar.
Primet nga sigurimet e jetës gjatë periudhës janar-shtator 2023, mbeten modeste, duke arritur 1.3 mld lekë ose 7.46% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




