Nga Gazeta ‘Si’-Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë të enjten se nuk e njeh Gjykatën Kushtetuese të Kosovës si institucion që mund ta pezullojë ose anulojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai i ka bërë këto deklarata të enjten, të njëjtën ditë kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë para mediave se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta japë fjalën e fundit për kushtetutshmërinë e një draft-statuti për formim të Asociacionit që i është prezantuar Kosovës, më 21 tetor.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe, me kompetenca konkrete për popullin serb, është negociuar më shumë se 10 vjet më parë në Bruksel, dhe asnjë deklaratë, dhe asnjë dëshirë e askujt, nuk do të mund ta zhbëjë atë që është garantuar nga gjithë Bashkimi Evropian, dhe që është nënshkruar prej përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Petkoviç.
Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç është arritur pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Ambasadori Hovenier ka thënë se draft-statuti i zyrtarëve të Perëndimit është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft, që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere, dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




