Nga Gazeta ‘SI’ – Në një konferencë të përbashkët me përfaqësues të Bankës Botërore, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko foli për praninë e rreziqeve klimatike në sistemin financiar të vendit.
Në fjalën e tij përballë të ftuarve, Sejko tha se sektori financiar shqiptar nuk mund të operojë më i izoluar nga ndryshimet klimatike, që po cënojnë fusha si turimi, buqësia, infrastruktura, që janë të lidhura direkte me ekonominë.
“Sektori bankar, si gur themeli i ekonomisë sonë, duhet të rrisë rezistencën jo vetëm ndaj goditjeve financiare tradicionale, por edhe ndaj forcës të paparashikuar të fenomeneve klimatike. Financat e qëndrueshme nuk janë zgjedhje, por detyrim. Sistemi ynë bankar – i mirëkapitalizuar, fitimprurës dhe likuid – ka treguar rezistencë të jashtëzakonshme në vitet e fundit, pavarësisht goditjeve të rënda në ekonominë reale, nga tërmeti i vitit 2019, tek ndikimi i pandemisë së COVID-19 dhe konflikti në Ukrainë” tha Guvernatori.
Ai i bëri apel të gjithë bankave në vend që të realizojnë investime me përgjegjësi ndaj mjedisit, ekosistemit, mikroklimës etj. Dhe këtë, shtoi Sejko, bankat duhet ta shohin si një strategji të re dhe jo sfidë.
Guvernatori tha se sot do të publikohet dhe strategjia e paralajmëruar e BSH-së, “Strategjia për Administrimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve Financiare të Lidhura me Klimën në Sektorin Financiar, për vitet 2023-2025”, ku janë të qartësuara politikat dhe masat që duhet të marrë sektori financiar në vend.
“Strategjia që publikojmë sot, ofron një plan veprimi për të identifikuar, monitoruar dhe menaxhuar rreziqet e lidhura me klimën, duke siguruar kështu stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit tonë financiar. Veprimet që do të ndërmerren prekin gjithë spektrin dhe përgjegjësitë e shumëfishta të Bankës së Shqipërisë, nga politika monetare, te stabiliteti financiar dhe operacionet ditore. Krahas implementimit të strategjisë klimatike, do të vazhdojmë dhe rrugën drejt modernizimit dhe digjitalizimit të tregut e sistemeve të pagesave, me qëllim jo vetëm nxitjen e përfshirjes financiare dhe të përdorimit të pagesave elektronike në ekonominë shqiptare, por edhe kontributin në financat e gjelbra” përfundoi Guverantori i BSH-së, Sejko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



