Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se shpenzimet kapitale të Buxhetit 2024 dedikuar projekteve të infrastrukturës dhe energjisë janë afro 50 mld lekë. Deklaratat ajo i bëri gjatë prezantimit përpara komisioneve parlamentare, të buxhetit të vitit 2024, specifikisht fondeve për sektorët që kjo ministri ka në përgjegjësi.
Teksa listonte projektet që do të vijojnë të financohen nga buxheti i shtetit edhe për 2024-n, nga rruga e Arbrit tek procesi i shpronësimeve, Balluku tregoi dhe projektet e reja të Infrastrukturës.
Ajo tha se për herë të parë do të nisë projektimi i Bypass-it të Tiranës, do të zgjerohet superstrada Tiranë-Durrës dhe Elbasan-Qafë-Thanë.
“Do të nisë edhe gara ndërkombëtare për Porto Romanon, që është në një listë unike projektesh. Projektimi është bërë nga kompania Royal Haskoning dhe janë përfunduar edhe studimet e fizibiliteti dhe gjeologjike. Autoriteti Portual i Durrësit, është gati të hapë garën për portin e ri. Investimi do të jetë me financim të brendshëm”, sqaroi ministrja dhe zv.kryeministrja.
Balluku shtoi se brenda 3- vjeçarit do të jetë finalizuar edhe aeroporti i Vlorës, për mallrat dhe peshkimin, si edhe hekurudha Tiranë-Durrës dhe më tej ajo Durrës-Prishtinë.
Duke u ndalur edhe tek fusha energjetike, ministrja Balluku tha se përmirësimi i rrjetit energjetik dhe vendosja e matësve inteligjentë janë qëllimet kryesore, ku do të shkojnë një pjesë e financimeve.
Ajo tregoi se OST, Operatori i Sistemit të Transmetimit ka pasur diskutime me homologët italianë për krijimin e një linje nënujore të energjisë me shtetin fqinj.
Paralelisht, u njoftua hapja e garës për ndërtimin e rrjetit të gazit Fier – Vlorë, që do të mundësojë lidhjen e gazsjellësit TAP me TEC Vlorë, me një gjatësi prej 33 km. Ndërkaq, sipas Ballukut mbështetja buxhetore për programin e burimeve natyrore mbetet e ulët edhe për vitin 2024, duke theksuar se kërkesa për një mbështetje më të lartë do të jetë për vitin 2025.
Deputetët mbështetën parashikimet buxhetore për 11 programet që mbulon kjo ministri, por kërkuan një rritje të zhvillimit të infrastrukurës rurale, si dhe ndërtimin e bypassit të Beratit për të cilin Balluku premtoi nisjen e studimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




