Ekonomi

Buxheti 2024, Mete: 26 mld do të shkojnë për Drejtësinë

Nga Gazeta ‘SI’ – Në prezantimin e projektbuxhetit 2024 në komisionin e Ligjeve, ministri i Financave Ervin Mete dha disa detaje më shumë për shpërndarjen e parave vitin që vjen.

Ministri tha se 26.2 mld lekë do t’i dedikohen Drejtësisë, shumica për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të reformës në drejtësi, ku përfshihen institucionet e Vettingut, SPAK etj.

Nga kjo vlerë, 16 mld do të shkojnë për personelin, 1.4 mld vetëm për magjistratët.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes në vitin 2024 parashikohen në masën 8 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet për investime në vitin 2024 parashikohen rreth 2.3 miliardë lekë.

“Për SPAK mbështeten me 550 milionë lekë projektet e reja infrastrukturore dhe pajisjet teknologjike, të cilat parashikohen të implementohen në vitet 2024-2025. Implementimi dhe Përmirësimi i sistemit të regjistrit elektronik noterial, me vlerë rreth 234 milionë lekë. Investime për përmirësimin e infrastrukturës në mjekësinë ligjore dhe laboratorin e toksikologjisë. Financime për përmirësimin e infrastrukturës së Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë Tiranë. Rikonstruksioni i Gjykatës Kushtetuese, me vlerë 20 milionë lekë”, tregoi ministri Mete.

Duke u ndalur dhe tek buxheti vendor, Mete tha se shpenzimet për këtë nivel qeverisje janë parashikuar 71.1 mld lekë, ku përveç transfertës së pakushëtzuar, 24.3 mld lekë, do të ketë alokime dhe për projekte të veçanta si:

Investime për rikonstruksion/ndërtim ujësjellësash për bashkitë në vlerën 4.5 miliardë lekë; Investime nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për infrastukturën vendore dhe rajonale 4 miliardë lekë;Fondi për emergjencat civile, për bashkitë në shumën 2.5 miliardë lekë për financimin e projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore dhe digat; Investime për rikonstruksion, ndërtim dhe rehabilitim shkollash 9-vjeçare/ të mesme në vlerën 2.2 miliardë lekë; Fondi për ndërtimin e teatrit për bashkinë Tiranë në vlerën 1.1 miliardë lekë; Investime për ujitjen dhe kullimin, 400 milionë lekë; Fondi social, në shumën 320 milionë lekë; si dhe pastrimi i bregdetit për disa bashki në vlerën 300 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë