Para

Rritja e pagës arrin tek OSHEE. 30% për atë mesatare, shtesë edhe vjetërsia në punë

Nga Gazeta ‘SI’ – Specialistët e OSHEE-së janë grupi i radhës që do të kenë një pagë më të lartë, nisur nga muaji nëntor.

Kreu i OSHEE-së, Enea Karakaçi, njoftoi se paga mesatare për punonjësit e kësaj kompanie do të rritet me 30% dhe do të ketë shtesë për të gjithë punonjësit sipas viteve të tyre të punës.  

Zëvendëskryeministrja, njëherësh dhe ministre e Energjisë, Belinda Balluku, tha se nga rritja, do të afektohen të gjithë sektorët brenda OSHEE-së.  Duke u ndalur tek rritja për elektriçistët, zv.kryeministrja tha se paga e tyre nga 50 mijë lekë do të arrijë 70 mijë lekë.

Sipas vjetërsisë së punës, Balluku tregoi se shtesa do të jetë 0.6% për 10 vitet e para, 0.8% deri në vitin e njëzetë dhe 1% dhe 10 vitet e treta.

“Synimi ka qene për t’i dhënë një shpërblim punonjësve të terrenit duke filluar nga elektriçistët, teknikët, inxhinierët dhe pse jo faturistët, të cilët janë zanafilla e mbledhjes së atyre të ardhurave, që administratori juaj i deklaroi me krenari dhe është për t’u deklaruar sepse muaji tetor është mbyllur me një shifër rekord, me 113% të mbledhjes së të ardhurave. Jemi përballur me tërmetin, me pandeminë dhe më pas me krizën energjitike dhe na është dashur që këto katër vite të tregohemi kursimtar dhe të kujdesshëm. Për arsye se ka qenë vendim i kryeministrit Edi Rama dhe i qeverisë shqiptare që çmimi i abonentit të mos preket. Për këtë arsye na është dashur të frenonim investimet” tha Ministrja.

Sipas Ballukut, edhe kjo rritje lidhet me iniciativën e qeverisë për rritjen e pagës mesatare të administratës publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë