Kosova

Kurti: Drafti për Asociacionin sjell njohjen de-facto. Pas nënshkrimit, ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese

Nga Gazeta ‘Si’ – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë këtë të premte përpara deputetëve të Kuvendit, për t’i informuar në lidhje me takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me krerët e Bashkimit Europian dhe draftin e ri të Asociacionit që raportohet se ai ka pranuar.

Ai tha se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë, sjell njohjen de-facto të Kosovës.

LEXO EDHE:
– Ekskluzive e Gazeta ‘Si’ / Dokumenti i Macron e Scholz që Serbia të njohë Republikën e Kosovës, në këmbim të Asociacionit
– Çfarë draft-statuti ka firmosur Serbia? Vuçiç: Nuk e njoh kurrë pavarësinë e Kosovës

“E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, tha Kurti.

Sipas tij, kjo nuk paraqet “Zajednicën” (v.j. që në gjuhën serbe do të thotë Asociacion) të parashikuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, sepse “asisoj do të ishte i padiskutueshëm”.

Ai megjithatë tha se draft-statutin zyrtarisht ende nuk e ka pranuar.

“Ta pranosh nënkupton të pajtohesh që të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit”, tha ai, duke shtuar se ai ka ofruar që ta nënshkruajë atë dhe “si rrjedhojë ta pranojë”.

Kurti tha se draft-statuti është shkruar me kujdes ndaj germës së Kushtetutës, më shumë sesa frymës së saj. Megjithatë, ai tha se në draft parashikohet që ky dokument të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ai tha se nuk mund të ofrojë detaje të draft-statutit, por mund të japë vetëm qëndrimin e tij politik.

“E dyta, drafti në vlerësimin tim politik e bënë të qartë që mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter koordinues dhe bashkëpunues. Pra, nuk do paragjykojë e as ndërhyjë në kompetencat e komunave të organeve qendrore e kështu me radhë”, tha Kurti.

“E treta, drafti ia mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’iu projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës apo në mosnjohje të kufijve të Kosovës e rrjedhimisht ata të jetonin me ndjenjën e imponuar nga Beogradi për një luftë të re për territorin, a shkëmbim territorial a bashkim për këdo tjetër. Pra drafti e bën të qartë që vendi është Republika e Kosovës dhe e ardhmja është bashkëjetesa në institucionet dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Kjo i bie që Serbia do të duhej të hiqte dorë nga premisa që serbët në Kosovë jetojnë në Serbi apo që serbët në Kosovë mund të kenë aspirate shkëputëse territoriale apo autonomi jashtë Republikës së Kosovës, jashtë ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës”, shtoi ai.

Pas takimeve me liderët evropianë në Bruksel më 26 tetor, Kurti deklaroi se ka pranuar propozimin për draft-statutin e Asociacionit dhe ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshje për normalizimin e raporteve me Serbinë, por kjo ishte kundërshtuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë