Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano,, ka deklaruar se liderat e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç ranë “në parim” dakord për implementimin e propozimit të ri të Bashkimit Europian për Asociacionin dhe normalizimin e marrëdhënieve.
Megjithatë Stano thotë se si Kurti ashtu edhe Vuçiç, kanë patur parakushte, ç’ka për Bashkimin Europian janë të papranueshme.
“Në një takim jozyrtar që synonte avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit në margjinat e Këshillit Evropian më 26 tetor, HRVP dhe liderët evropianë u takuan me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti.
Ata paraqitën një propozim të ri të balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave dhe këmbëngulën që palët të fillojnë zbatimin e tij. Kjo do të çonte përpara procesin e normalizimit dhe do të zbuste rrezikun për përshkallëzim dhe dhunë të re.
Në takim palët sinjalizuan gatishmërinë – parimisht – për ta pranuar këtë propozim evropian, por të dyja kishin parakushte që të ishin të papranueshme nga pala tjetër.
Ne presim që kjo gatishmëri të çojë në zbatim pa vonesa të mëtejshme. Parakushtet nuk janë të pranueshme.
Gjithashtu formalitetet nuk duhet të pengojnë zbatimin. Të dyja palët do të vlerësohen mbi performancën e tyre individuale të zbatimit.
Presim që palët të angazhohen seriozisht dhe sinqerisht në avancimin e normalizimit përmes zbatimit të propozimit dhe të gjitha dispozitave të tjera të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Kjo mund të bëhet vetëm në kuadrin e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të udhëhequr nga Përfaqësuesja e Lartë…”, tha Peter Stano në një prononcim për “Top News”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




