Ekonomi

Bizneset shqiptare pesimiste për situatën ekonomike. Të gjithë sektorët presin rënie çmimesh

Nga Gazeta ‘SI’ – Treguesi i ndjesisë ekonomike nuk ndryshoi gjatë tetorit, ndonëse besimi i të gjithë sektorëve të biznesit ra. Besimi konsumator nga ana tjetër, u përmirësua, sipas anketës së Bankës së Shqipërisë.

Treguesi i besimit të industrisë, pati rënien më të madhe, me 3.7 pikë përqindjeje në muajin tetor, i ndikuar nga vlerësimet pesimiste për prodhimin aktual dhe për kontratat porositëse. Pritjet e bizneseve për çmimet në këtë sektor janë në rënie, ndërkohë që ato për prodhimin dhe punësimin janë në rritje.

Treguesi i besimit në ndërtim ra me 1.9 p.p në tetor. Rënia këtë muaj u përcaktua si nga vlerësimet më pak optimiste për aktivitetin aktual ndërtues ashtu edhe për kërkesën. Pritjet për punësimin janë në rritje, ndërsa ato për çmimet në të ardhmen janë në rënie.

Besimi në sektorin e shërbimeve ra me 1 p.p. Të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit dhe kërkesa aktuale, kanë regjistruar rënie të lehtë. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë në rënie.

Treguesi i besimit në tregti u tkurr me 2.2 p.p, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet për ecuri aktuale më të dobët të biznesit. Në të kundërt, bizneset e aktivitetit të tregtisë presin një rritje të porosive dhe të ecurisë së biznesit në të ardhmen e afërt. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar në rënie.

Besimi i konsumatorëve u rrit me 2.8 p.p gjatë tetorit. Treguesi i besimit konsumator u përcaktua nga pritjet më optimiste për situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha aktuale dhe për të ardhmen. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve dhe për nivelin e papunësisë në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë