Nga Gazeta ‘Si’- Mëngjesin e sotëm(1 nëntor) ka filluar bastisja nga Dhomat e Specializuara edhe në shtëpinë e Ismail Sylës, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi.
Syla, është i katërti këshilltar në harkun e tre ditëve të cilit po i bastiset shtëpia.Avokati Artan Qerkini ka thënë se Sylës i është sekuestruar vetëm telefoni.



Ditën e djeshme janë kryer bastisje në shtëpinë e Artan Behramit, poashtu ish-këshilltar i Thaçit dhe në shtëpinë e prindërve të tij. Ndërsa të hënën(30 tetor) gjithashtu janë kryer bastisje edhe në shtëpitë e ish-këshilltarëve Bashkim Smakaj dhe Blerim Shalës.
Më herët Specialja bastisjet ndaj ish-këshilltarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi i ka filluar në muajin shkurt të këtij viti, përkatësisht më 22 shkurt, në shtëpinë e Adil Behramajt.
I vetmi i cili ka folur për media, Artan Behrami, ka thënë se Dhomat e Specializuara në Hagë nuk mund t’i bastisin 1.8 milion banorë që kundërshtojnë këtë gjykatë dhe se veprimet e fundit kanë për synim mbjelljen e frikës, ndërkohë që sipas tij në procesin gjyqësor Prokuroria nuk po mund të argumentojë asnjë nga akuzat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




