Muzike

Finalmente Elsa…

Nga Megi Iskurti – “O Elsa, më në fund”, ishte reagimi i parë i njerëzve më të cilin ishte hasur pas rikthimit të saj në Festivalin e Këngës vitin e shkuar, çka i dha indicien për “Finalmente Elsa”.

Në skenën e Pallatit të Kongreseve, aty në zanafillën e jetës së saj artistike, Elsa Lila do të vijë me koncertin e saj recital, në të parën ditë të nëntorit.

“E kam lënë në italisht, që të shërbejë si një urë mes dy vendeve, pasi unë prej 26 vitesh jetoj atje dhe kam dy nënshtetësi. Kam parë disa komente, njerëz që thonë se nuk u pëlqen titulli i lënë në italisht por unë besoj se në vitin 2023, kohët kanë evoluar kaq shumë, sa të ndalojmë në këto vogëlsira.”

Ndërsa ndan detaje për recitalin, ajo rrëfen se ka pritur gjatë për të ardhur ky moment, për të cilin nuk i ka mjaftuar veç pasioni për muzikën që ajo e ka të mbrujtur thellë por afërmendsh edhe puna e madhe për të arritur pjekurinë dhe repertorin e duhur artistik.

Jetesa mes Shqipërisë dhe Italisë, këndej e andej detit dhe lidhja e kahershme me muzikën, do të vijë në recital edhe përmes rrëfimeve dhe përsiatjeve të saj që do të shoqërojnë këngët.

“Muzika për mua është mjeti më i fortë i shprehjes që unë kam, unë kam zërin, është mënyra më e mirë e shprehjes, e imja. Kryefjala e këtij recitali do të jetë muzika dhe miqësia. Sepse të gjithë ato që do të marrin pjesë në këtë projekt duke filluar nga muzikantët që kanë ardhur nga Italia dhe deri tek Red Cloud po e bëjnë më shumë dashuri si për mua dhe si për muzikën tim”, vijon ajo mandej ndërsa shton se edhe kur nuk ishte prezente në skenë, prej muzikës nuk është ndarë kurrë.

Zhdukja apo ridukja, tregon sipas saj faktin që muzikën e bën për pasion, kurrsesi me llogari.

“Edhe në momente që nuk kam qenë prezente e kam pasur të domosdoshme të mos shfaqesha por kjo nuk do të thotë se unë nuk këndoj. Do të ndaloj se bëri muzikë vetëm kur të vdes, muzika është jetë”, vëren ajo.

“Vajza e lotit”, e njohur shpesh kështu nga kënga e parë e saj “Pyes lotin”, jehona e së cilës do të oshëtinte ndër vite dhe këngëtarja e parë që çeli siparin e shqiptarëve në Sanremo, recitalin në  Tiranë e ka si një borxh ndaj Shqipërisë që gjithmonë sipas saj i ka dhënë zemrën dhe duartrokitjet.

“Ndërsa unë ju kam dhënë zërin dhe shpirtin tim”, citon ajo.

Artistët dhe bashkëpunëtorët italianë që do e shoqërojnë janë emra me përvojë të gjatë, që sipas Lilës, me t’i dëgjuar, nuk të lënë vramendje për cilësinë e recitalit.

Përpos Enrico Melozzi, Drejtori Artistik i “Finalmente Elsa”, një nga dirigjentët kryesorë të orkestrës së festivalit të Sanremos, i cili ka drejtuar këngë e artistë fitues siç ishin edhe Maneskin, Gazetasi.al mëson se do të jenë edhe një sërë emrash muzikantësh të tjerë më famë botërore.

Nicola Costa, kitarist e kompozitor i artistëve të mëdhenj si Celentano; Reberto Gallinelli basist i grupit të këngëtares Laura Pausini; Lele Melotti disa herë pjesmarrës në orkestrën e Sanremos dhe Alberto Barsi, kitarist që ka intepretuar përkrah Il Volo, janë vetëm disa prej tyre.

Megjithatë, përpos këngëve të saj më të famshme, si shqiptare ashtu dhe atyre italiane, kjo bandë do të sjellë edhe disa nga këngët më të bukura të folklorit shqiptar.

Lila thotë për Gazetasi.al se disa nga këngët e përzgjedhura, fort të dashura për të, do të jenë edhe “Margjelo”, “Qan lulja për lulen” dhe kënga arbëreshe “Moj e bukura more”.

“Sigurisht, do të vijnë në një dimension pak më ndryshe, më pak tradicional. Në një version në piano më të shtrirë e të ripërpunuar nga unë”, ndan mes detajesh të tjera ajo.

Përveç këngëtarit Pirro Çako, me të cilin do të këndojë një nga këngët e saj më të famshme:  “Diferenca je ti”, ajo tregon që nuk do të ketë të ftuar të tjerë.

Elsa Lila gjithashtu do të këndojë edhe dy materiale baroke, muzikë që ka nisur ta studiojë dhe ta eksplorojë që prej 2012-s.

Biletat do të kushtojnë nga 20 euro deri në 30 euro, varësisht zonës.  

Ndërkohë për Melozzin, me të cilin ajo bashkëpunon prej shumë vitesh, shqiptarët janë një popull me shije të rafinuara. Fakti që e duan Elsa Lilën është tregues – sipas tij – për këtë.

“Të gjithë në Shqipëri e njohin dhe e duan Elsën. Jeni një popull me shije të mirë muzikore ndërkohë që në Itali vlerësohen pafund edhe artistë që nuk kanë asnjë vlere”, citoi ai ndërsa u rikthye pas në kohë kur Elsa mori pjesë në Sanremo, atëbotë kur ai zgjodhi që të bashkëpunonte me të.

“Më ofruan të punoja edhe me këngëtare të tjera shumë të famshme por sapo dëgjova zërin e Elsës zgjodha atë. Thashë që do punoja vetëm me të”, rrëfen Melozzi. Ai shton se në shumë vite bashkëpunimi, kanë kaluar jo pak momente të trishta dhe të bukura. Por muzika, sipas tij, ka qenë ura që gjithmonë i ka bashkuar dhe i ka mbajtur të lidhur fort.

Për festivalin e fundvitit në RTSH  ku do të vijë me këngën “Mars”, Elsa Lila nuk ndau shumë detaje mbi materialin.

Me këngën “Evita” ajo fitoi çmimin e parë në Festivalin e Këngës në RTSH, që shënoi edicionin e 61-të. Këngë të cilën ajo e ka shkruar dhe kompozuar po vetë, si një dedikim për të bijën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë