Muzike

Rikthehet Elsa Lila, koncert recital në Pallatin e Kongreseve në 1 nëntor

Elsa Lila do të vijë për herë të parë në një koncert në Pallatin e Kongreseve në 1 nëntor.

Vetë artistja në disa rreshta në Instagram fton fansat e saj, por tregon edhe pse zgjodhi më në fund të rikthehet pranë publikut të saj me "Finalmente Elsa".

“Ika me shijen e suksesit të 'Evitës' sime në festival, për t’u rikthyer në Tiranë, tani në nëntor. Këtë herë, për herë të parë me një koncert të madh, aty në skenën e Pallatit të Kongreseve, nga ku nisi jeta ime artistike. 'Finalmente Elsa' i thotë të gjitha: kohën e gjatë që kam pritur, për të ardhur ky moment; punën e madhe që kam bërë deri më sot, për t’u ndier kaq gati, për një koncert si ky, që kërkon jo vetëm përkushtimin, por dhe pjekurinë e repertorin e duhur artistik. S’do t’ia dilja dot kurrë vetëm, pa bashkëpunëtorët e miqtë e mi artistë, me të cilët kam krijuar, intepretuar e realizuar në gjithë këto vite, projekte unike, interesante e me muzikë të vërtetë", shkruan Elsa në statusin e saj në Instagram duke shtuar: “Ju mirëpres që të më jepni zemrën dhe duartokitjet tuaja, siç keni bërë gjithmonë, ndërsa unë ju kam dhënë zërin e shpirtin tim!”.

Këngëtarja Elsa Lila me këngën “Evita” fitoi çmimin e parë në Festivalin e Këngës në RTSH, që shënoi edicionin e 61-të.

Kënga “Evita” e Elsa Lilës është një këngë e shkruar dhe kompozuar nga vetë ajo, e cila i dedikohet të bijës.

“Ndjej shumë në këtë moment. E kam të vështirë të përmbledh. Një histori që më kthehet mbrapsht. E gjitha ndodhi falë jush dhe mbështetjes dhe frymëzimit që më keni dhënë. Falë dashamirësisë së jurisë dhe orkestrës dhe falë vajzës time që më dha kaq shumë frymëzim”, do të shprehej ajo pasi mori çmimin në festival.

Elsa Lila është këngëtarja që na bëri të ndjeheshim krenarë, ndërsa prezantohej si e para shqiptare që ngjitej në skenën e Sanremos.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë