Matthew Perry, i njohur për rolin e tij si Chandler Bing në serialin televiziv Friends, ka vdekur në moshën 54-vjeçare. Ai lindi në Massachusetts në vitin 1969 dhe u rrit në Otava, Kanada, ku ndoqi shkollën fillore me Justin Trudeau, i cili më vonë u bë kryeministër kanadez. Më poshtë një rrëfim i tij nga autobiografia ku rrëfente betejën e tij të pafundme kundër drogës dhe alkoolit.
“Përshëndetje, emri im është Matthew, megjithëse ju mund të më njihni me një emër tjetër. Miqtë e mi më quajnë Matty. Dhe unë duhet të isha i vdekur”. Kështu nis libri memuaristik “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, autobiografia në të cilën Matthew Perry - i cili vdiq të shtunën më 28 tetor - hoqi maskën e aktorit të suksesshëm dhe u përball me Gjënë e Tmerrshme, d.m.th. varësinë e tij, alkoolin dhe drogën.
Një “dietë vdekjeprurëse” e përbërë nga vodka (një shishe në mbrëmje), kokainë, opiate (në një moment ai merrte 55 pilula Vicodin në ditë), benzodiazepina (Xanax dhe të gjitha ilaçet me veprim anksiolitik).
Matthew Perry - një personazh global falë rolit të tij si Chandler në “Friends” - tregoi se jeta e tij në të vërtetë kishte qenë ferr, gjithmonë në buzë të humnerës. Prapa shkëlqimit të dritave të Hollivudit shpesh rrinin pezull hijet e gjata të një depresioni që shumë nuk mund ta durojnë.
Braktisja e babait të tij kur ishte i vogël, ardhja e tij në Hollywood, gratë (përfshirë Julia Roberts, të cilën e la sepse “kisha shumë frikë se mos më linte ajo mua”), 15 përpjekjet për rehabilitim, 14 operacione në zorrën e trashë. Kur ishte 49 vjeç, aktori ishte një hap larg vdekjes. “Është një mrekulli që jam gjallë, tha ai. - Doja të ndaja historinë time kur isha i sigurt se kisha lënë pas anën time të errët, larg të këqijave të alkoolizmit dhe varësisë”.
Ai gjithashtu kishte qenë në koma për dy javë dhe më pas pesë muaj të tjerë në spital: kur u shtrua në spital, mjekët i thanë familjes së tij se ai kishte vetëm 2% shanse për të mbijetuar: “Më lidhën me një makinë që merrte frymë për mua. Ajo është mbiquajtur Ave Maria sepse asnjë nuk ka mbijetuar. Atë natë pesë veta ishin në atë makinë: katër vdiqën, ndërsa unë mbijetova: pse? Pse pikërisht unë”?
Ai zbuloi se kur filloi të aktronte në “Friends”, në moshën 24-vjeçare, varësia e tij ndaj alkoolit ishte në fillimet e saj. “Disi mund ta përballoja, por në moshën 34-vjeçare isha vërtet në telashe. Nuk dija si të ndaloja”. Shokët e tij të filmit kishin qenë “të kuptueshëm dhe të durueshëm; është si në natyrë për pinguinët: kur njëri prej tyre është i sëmurë ose i lënduar, ai rrethohet dhe mbështetet nga të tjerët; ata rrotullohen rreth tij derisa ai pinguin të mund të ecë vetë. Kjo është diçka që kasti ka bërë për mua”.
14 operacionet në stomak kishin qenë një paralajmërim në formën e plagëve: “Plagët na kujtojnë gjithmonë të qëndrojmë esëll”.
Në një moment, Matthew Perry ishte aq i zhytur në humnerë, saqë asnjë substancë nuk kishte më efekt mbi të: “Megjithatë, që unë ndaloj së piri dhe përdorimin e opiateve nuk ka të bëjë me forcën. Nëse dikush do të vinte në shtëpinë time dhe do të më thoshte ‘Ja njëqind miligramë Oxy’, do t’i thosha që nuk mjafton”.
Pavarësisht gjithçkaje, ironia nuk i humbi. Në libër ai tha se një mbrëmje, pasi kishte pirë, babai i tij doli për shëtitje dhe vendosi që nuk do të pinte më kurrë: "Më fal? Dole për një shëtitje dhe ndalove së piri? Unë kam shpenzuar mbi 7 milionë dollarë duke u përpjekur të jem esëll. Kam marrë pjesë në 6000 takime të Alkoolistëve Anonim. Kam qenë në rehabilitim 15 herë. Isha në një spital psikiatrik, shkoja në terapi dy herë në javë për tridhjetë vjet, isha në prag të vdekjes. Dhe ti e vendose vetëm pas një shëtitje?!".
Jeta e tij ishte një jetë shumë e brishtë e një njeriu të gjallëruar nga një dëshirë e verbër dhe shumë njerëzore për t’u bërë i njohur nqë e shtyu drejt famës dhe në të njëjtën kohë drejt një zbrazëtie të madhe të brendshme, që nuk mund të plotësohej as me realizimin e ëndrrave të tij më të mëdha. Varësia gjithmonë pranë, si një armë e mbushur vazhdimisht, e cila mund të qëllojë në çdo moment: “Robert Doëney Jr., duke folur për varësinë e tij, një herë tha: ‘Është si të kem një armë në gojë me gishtin në këmbëz dhe më pëlqen shija e metalit’. E kuptova se çfarë donte të thoshte; e kuptova. Edhe në ditët e mira, kur jam esëll dhe shikoj nga e ardhmja, është gjithmonë me mua. Gjithmonë është një armë”. /Il Corriere della Sera/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.