Filma

Vdes në moshën 54-vjeçare Matthew Perry, ylli i serialit ‘Friends’

Është ndarë nga jeta aktori Matthew Perry, i njohur më së shumti për rolin e Chandler Bing, një personazh i dashur në serialin televiziv amerikan “Friends”. Ai ishte 54 vjeç.

Matthew Perry u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Los Anxhelos: shkaqet e vdekjes nuk janë ende të qarta.

Perry u shfaq në mbi 200 episode dhe në të dhjetë sezonet e “Friends”: Chandler Bing, shoku i dhomës i Joey Tribbianit dhe më pas i dashuri i Monica Geller, ishte një burrë i pashëm, mendjemprehtë dhe më vonë shumë romantik, megjithëse i ngathët dhe paksa i pafat.

Ky serial u prodhua gjatë periudhës 1994-2004. Episodi i fundit i këtij seriali u pa nga 52.5 milionë persona në SHBA, duke e bërë një nga episodet më të shikuara televizive në vitet 2000.

Mediat e para që raportuan se Perry ndërroi jetë ishin LA Times dhe TMZ. Ato thanë se aktori u gjet pa ndjenja në vaskë.

Warner Bros Tv, që prodhoi serialin “Friends”, deklaruan se ishin të “trishtuar nga vdekja e mikut të tyre të dashur, Matthew Perry”.

“Matthew ishte një aktor jashtëzakonisht i talentuar”, thanë ata.

Perry lindi në vitin 1969 në Massachusetts, por u rrit në Ottawa në Kanada. Atje ndoqi shkollën fillore bashkë me Justin Trudeau, i cili më vonë u bë kryeministër i Kanadasë.

Perry u zhvendos në Los Angeles kur ishte adoleshent. Ai aktroi edhe në serialin “Boys Will Be Boys”, por edhe në seriale të tjera si “Growing Pains”.

Me rolin në “Friends” ai u bë yll ndërkombëtar. Në serialin komedi aktronin edhe Jennifer Aniston, Courteney Cox, David Schwimmer, Matt LeBlanc dhe Lisa Kudrow. 

Perry luftoi prej vitesh me varësinë ndaj qetësuesve kundër dhimbjeve dhe alkoolin dhe u fut në rehabilitim në disa raste.

Në vitin 2016 ai tha për BBC se nuk mund të mbante mend regjistrimet për tri vite të “Friends” për shkak të pijes dhe drogës.

Pas “Friends” ai luajti në filma të ndryshëm dhe seriale televizive, pothuajse të gjitha komedi, megjithëse disa nga rolet e tij dramatike janë gjithashtu të paharrueshme, si këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Joe Quincy në “The West Wing”, një rol që i solli atij dy nominime në çmimet Emmy, çmimet më prestigjioze në botën e televizionit. Në vitin 2006 ai ishte protagonist i serialit të Aaron Sorkin “Studio 60 on the Sunset Strip”. Perry është shfaqur edhe në disa filma si “Fools Rush In”, “Almost Heroes” dhe “Whole Nine Yards”.

Paraqitja e tij më e fundit ishte në vitin 2021, në ribashkimin e Friends. Vitin e kaluar ai botoi një libër memuaristik, “Friends, Lovers and the Big Terrible Thing”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë