Gazeta Si – Gjashtë ditë pas arrestimit në Rinas, Jamarbër Malltezi ka ankimuar vendimin e gjykatës për masën e sigurisë dhënë ndaj tij, “arrest me burg”.
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha u arrestua nga autoritetet në datën 21 tetor në aeroportin e Rinasit, ndërsa akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në kryeqytet.
Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-Klubit Sportiv Partizani.
Sipas dosjes voluminoze të SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë para të jashtëligjshme, pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi, për t’i pastruar këto para.
Nga ana tjetër, GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ndërtuesin Fatmir Bekteshi. Pasi u njoh me masën e sigurisë, Bektashi deklaroi se i qëndron përballë drejtësisë sepse nuk ka kryer asnjë vepër penale të pretenduar nga akuza dhe këtë do e vërtetojë koha.
Të enjten në mbrëmje, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë Shqipërisë të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas vendimit të GJKKO, Sali Berisha duhet të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
Hetimet sugjerojnë se ai është favorizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, me anë të disa akteve ligjore dhe nën ligjore të nxjerra në favor të procedurës së privatizimit. Hetimet për këtë dosje nisën në vitin 2020 pas kallëzimit të bërë nga socialisti Taulant Balla.
SPAK urdhëroi sekuestrimin e pasurive të Malltezit, mes të cilave apartamente në zonën ku ndodhej ish-kompleksi sportiv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




