Kombetarja

Sinjale kuqezi për Roko Vatën, gati të përfaqësojë Shqipërinë si babai i tij

Gazeta Si – Një tjetër talent mund t’i bashkohet së shpejti Shqipërisë: Roko Vata. Djali i ish-kapitenit të Kombëtares duket se është gati të veshë të njëjtën fanellë si babai i tij, Rudi, i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të Shqipërisë.

Kohët e fundit vihet re një ndryshim i situatës për mesfushorin 18-vjeçar që luan për Selltikun dhe Irlandën U-21. Ai ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Irlandës, duke zgjedhur të përfaqësojë vendin e origjinë së nënës së tij. Kjo edhe për faktin se askush nuk e ka kontaktuar nga Kombëtarja shqiptare.

Roko Vata me babain Rudi dhe nenen e tij. Gazeta Si, 27 tetor 2023

Së fundi ka folur për këtë çështje Rudi Vata, duke dhënë sinjale të qarta se Roko mund të veshë fanellën kuqezi. Me rregullat e FIFA-s, mund ta bëjë këtë gjë, nëse do dhe nëse FSHF e fton. “Kurrë nuk i dihet, mund të ketë lajme të bukura në të ardhmen. Askush nuk e ndalon FSHF-në ta kontaktojë Rokon”, - ka thënë Rudi Vata.

Ish-futbollisti shkodran, një zë shpesh opozitar ndaj FSHF-së, në deklaratën e fundit e ka komplimentuar atë dhe trajnerin Silvinjo për çka kanë bërë me Shqipërinë këtë edicion kualifikues.

Për të përforcuar zërat që e çojnë Roko Vatën te Shqipëria ka menduar edhe trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi. Ai ka thënë se fundi se Roko është një nga talentet më të mëdha në Europë, duke i hapur derën në një farë mënyre mesfushorit. Tani pritet të ketë lëvizje konkrete, një ftesë kuqezi për djaloshin që mban një mbiemër të rëndë mbi shpinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë