Richard Grenell, njeriu që dikur ishte i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump ka marrë vlerësimin më të lartë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Ai është vlerësuar me Urdhrin e flamurit serb të Klasit të Parë, për “shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe të marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së”.
Vuçiç e ka cilësuar një mik jo vetëm të Serbisë, por edhe të gjithë rajonit të Ballkanit.
“Në një kohë të shkurtër pati një ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së. Roli i Richard Grenellit jo vetëm që kontribuoi në paqen dhe stabilitetin rajonal, por gjithashtu luajti rol thelbësor në përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së. Mandati i tij si njeri për dialog tregoi mprehtësinë e tij, por edhe aftësinë e tij diplomatike dhe mbi të gjitha gatishmërinë për t’i dëgjuar pikëpamjet e palës tjetër, edhe pse nuk ishte gjithmonë dakord. Ai tregoi diçka që pothuajse nuk kemi mundur të shohim në bashkësinë ndërkombëtare – objektivitet, ndershmrëi intelektuale e politike dhe konsistencë”, tha Vuçiç.
Ndërsa Grenell në këtë ceremoni ka shfrytëzuar rastin që të sulmojë kryeministrin Albin Kurti, që sipas tij, presioni duhet të bëhet nga ndërkombëtarët.
“Tani presioni duhet të jetë mbi z. Kurti për të zbatuar atë që zoti Thaçi ka premtuar. Ai nuk po e bën këtë dhe besoj se komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësi për të ushtruar presion ndaj tij për t’i marrë absolutisht ato obligime. Faleminderit për mirësinë tuaj dhe dua të them se më vjen keq që nuk keni një partner si Thaçi që mund të çojë përpara gjërat që po negociohen”, ka thënë Grenell.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




