Nga Gazeta ‘Si‘-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së pesë emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara në margjina të samitit të Këshillit Europian.
Takimi do jetë në vijim të diskutimeve të nisura me pesë emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate.
Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kurtit, megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se BE ka bërë “propozim modern europian” për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë por ende nuk është ndarë asnjë detaj.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se rendi i ditës së diskutimeve do të jetë në përputhje me atë që është diskutuar me pesëshen diplomatike gjatë fundjavës por nënvizoi se ka një marrëveshje që të mos flitet për këtë çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




