Bota

Pas kërkesës për dorëheqjen e Guterres, Izraeli refuzon vizat për zyrtarët e OKB-së

Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan, tha se vendi i tij do t’u refuzojë vizat e hyrjes zyrtarëve të OKB-së pas ndërhyrjes së diskutueshme të Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.

“Duke pasur parasysh fjalët tuaja, ne do të refuzojmë lëshimin e vizave për përfaqësuesit e OKB-së. Për më tepër, ne i kemi refuzuar tashmë një vizë nënsekretarit për Çështjet Humanitare Martin Griffiths. Ka ardhur koha t’u japim atyre një mësim”, u shpreh Erdan në një intervistë për Radion Ushtarake.

Më herët, Izraeli kërkoi gjithashtu edhe dorëheqjen e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme izraelite tha për BBC: “Është e rëndësishme të pranohet gjithashtu se sulmet nga Hamasi nuk ndodhën kot. Populli palestinez i është nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjet. Por ankesat e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit. Dhe këto sulme të tmerrshme nuk mund të justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez”.

Ndërkohë, Ministria palestineze e Punëve të Jashtme ka dënuar thirrjen e Izraelit për dorëheqjen e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, duke e përshkruar atë si një “sulm të paprovokuar”.

Në një postim në X, ministria palestineze e përshkroi pozicionin e Izraelit si një “zgjerim” të “mosrespektimit dhe mungesës së angazhimit” të tij ndaj Kombeve të Bashkuara, kartës së saj dhe rezolutat e OKB-së në lidhje me Palestinën, raporton Al Jazeera.

Ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan u tha gazetarëve: “Unë mendoj se sekretari i përgjithshëm duhet të japë dorëheqjen”, pasi Guterres mbajti një fjalim duke thënë se kishte “shkelje të qarta të ligjit ndërkombëtar humanitar” në Gaza.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë