Filma

Monica Bellucci rrëfen rolin e saj si Maria Callas: Grua që inspiron, kemi të përbashkëta

Aktorja Monica Bellucci shfaqet nën petkun e Maria Callas. Pas turneut në teatrot ndërkombëtare nga viti 2019 deri në vitin 2023, tani del në treg dokumentari me të njëjtin titull: “Maria Callas – Letra dhe kujtime”, i cili buron nga shfaqja teatrale e pasuruar me intervista, imazhe periudhash, pamje provash, prapaskenë, ose vendosur në hapësirat e jetuara nga sopranoja, e cila nga shumëkush konsiderohet si më e madhja e shekullit të 20-të.

Në film shfaqen imazhe të ikonës së muzikës klasike, të xhiruara gjatë provave, në paskuinta apo në hapësira private të saj.

Në një intervistë për ‘Skytg24’, Monika Bellucci tregon më shumë rreth empatisë karshi personazhit, por edhe pikat e përbashkëta.

“Sigurisht që ka diçka që na bashkon: shpirti mesdhetar. Përpos kësaj Maria Callas lindi në New York, pastaj shkoi të jetojë në Greqi, më pas u bë një yll në Itali, pastaj shkoi të jetojë në Paris. Kështu që në njëfarë mënyre ishte e huaj kudo që shkonte.  Unë mund ta kuptoj mirë këtë gjendje shpirtërore”, thotë aktorja Monica Belluçi.

E konsideron Callas-in si një grua që frymëzon. Madje ishte historia e sopranos, që e nxiti të ngjitej në skenën teatrale e thotë se shikuesit do të shohin në film, më shumë për Marian sesa për Maria Callas-in.

“Rrëfehet pjesa më intime, ajo që pak njerëz njihnin. Fillimisht Maria e re që kërkonte suksesin mes jetës së saj private dhe entuziazmit. Pastaj Maria e rritur që kërkonte suksesin me gjithë entuziazmin e saj. Pastaj  Maria më e maturuar me kontrastin e jetës private dhe punës së saj. E më tej pjesa e ku ajo jeton vetminë dhe trishtimin e saj me dinjitet të madh”, shton më tej ajo.

Filmi zgjat 75 minuta dhe prek momentet më të rëndësishme të jetës së sopranos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë