Kombetarja

Shqiptarët çmenden pas Silvinjos, ai i interesuar vetëm për FSHF-në dhe Edi Ramën!

Gazeta Si - Në epokën e rrjeteve sociale që jetojmë, gjithmonë e më tepër po i vihet rëndësi popullaritetit në këto platforma, si për të treguar vëmendje, apo edhe mbështetjen. Nëse në rastin e modeleve, këngëtareve apo femrave të famshme, të cilat e kanë më të thjeshtë, me sa duket, shtimin e popullaritetit virtual, me meshkujt duhet të jenë pjesë e angazhimeve të mëdha publike, që të arrijnë një numër ndjekësisht të konsiderueshëm.

Kështu, Sylvio Mendes Campos Junior, apo thjesht Silvinjo, trajneri brazilian i Kombëtares Shqiptare, si lojtar ka pasur një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në skuadra të mëdha europiane, si Barcelona, Arsenal, apo Mançester Siti. Megjithatë, karriera e tij e luajtur ka përfunduar rreth 10 vite më parë, kur këto tendenca nuk kishin këtë ritëm.

Ai më pas ka pasur karrierën si zëvendëstrajner me Brazilin, apo Interin, për të drejtuar vetë Korinthiasin, apo Lionin, dhe prapë nuk ka pasur një jetë shumë të ekspozuar në këto platforma.

Në të vërtetë, ai në Shqipëri ka edhe një person, që është gjithashtu brazilian dhe që e këshillon për daljet publike, me gjasë i punësuar këto kohët e fundit nga vetë trajneri. Dhe ndoshta mund të jetë këshilla e tij për hapjen apo angazhimin më tepër në rrjetet sociale.

Deri përpara mbërritjes në Tiranë, trajneri brazilian, i cili e kishte hapur rrjetin Instagram në prill të vitit 2020, kishte vetëm 18 mijë ndjekës, kjo edhe për shkak të mosangazhimit apo të postimeve të rralla, pasi deri në janar të vitit 2023, kur ai firmosi me Federatën Shqiptare të Futbollit, kishte vetëm 27 postime.

Sot, pas 9 muajsh në Shqipëri, periudhë gjatë së cilës ka jetuar në Tiranë dhe ka arritur mjaft suksese, duke na çuar shumë pranë kualifikimit në finalet e Europianit me 4 fitore një barazim dhe një humbje, numëron 126 mijë ndjekës. Një popullaritet mëse i merituar, pasi ai është emri i parë që lakohet, sëbashku me lojtarët për këtë arritje të madhe të futbollit të Kombëtares sonë.

Dhe nëse sheh se kë ndjek ai mes shqiptarëve nga 94 personazhet që ndjek në tërësi, janë vetëm dy: FSHF, pra institucionin ku ai punon, dhe Kryeministrin i vendit Edi Rama. Selektiv duket trajneri, i cili mik me lojtarët me sa duket është vetëm në periudhën e grumbullimit dhe si shumë profesionist, nuk ndjek rrjetet sociale për të parë jetën e secilit prej atyre që ai ka grumbulluar apo grumbullon, por komunikimin e drejtpërdrejtë.

Por pavarësisht të gjithave Silvinjo për momentin është njeriu që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve në rrjetet sociale, por edhe në të gjithë jetën sociale shqiptare, pasi kudo flitet për të dhe mbi të gjitha për atë që po bën me Kombëtaren tonë që është parësorja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë