Kosova

Kurti: Sulmin në Banjskë e kreu ‘Klani i Novi Sadit’ me në krye Ministrin Vuçeviç

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaron se sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti shkruan se në krye të tij ndodhet ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç.

“Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviçit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiç”, shkruan Kurti ndërsa shton se rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës nga Novi Sad.

Sipas tij, grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiç po qëndron në Rashkë.

“Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS. Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiç, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori dhe kriminaliteti por ka shtuar se Kosova nuk ka juridiksion në Serbi.

“A nuk do të duhej që BE-ja dhe SHBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, ka shkruar Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë