Kosova

‘Pesëshja e fuqishme’ paralajmëron bisedime në Bruksel: Dialogu, e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës Kosovë-Serbi

Nga Gazeta ‘Si’ “Pesëshja e fuqishme” që vizitoi dje(21 shtator) Prishtinën dhe Beogradin paralajmëroi takime të rëndësishme në Bruksel për rikthimin e palëve në procesin e dialogut.

Miroslav Lajçak, I dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi që i parapriu pesëshes diplomatike tha se deeskalimi i gjendjes është më urgjent se kurrë më parë.

Ndonëse nuk ndau shumë hollësi për planin e ri që ata i prezantuan kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç, ai deklaroi se nuk ka alternativë tjetër për zgjidhjen e krizës përpos dialogut.

“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajçak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Ai theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Europian”.

“Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën europiane të Kosovës”, paralajmëroi Lajçak.

Në lidhje me dialogun, Lajçak tha se ai dhe katër diplomatët e tjerë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, erdhën në Prishtinë dhe Beograd me një plan për të cilin nuk ndanë detaje.

Çfarë tha Kurti?

Kurti theksoi se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Në lidhje me dialogun, ai theksoi se “është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”.

Vuçiç: Bisedime të vështira

Presidenti Aleksander Vuçiç, pas mbledhjes me të dërguarit e pesë vendeve të mëdha, tha se takimi ishte i vështirë dhe se në ditët në vijim pret që të ketë takime të rëndësishme në Bruksel.

“Unë besoj se në periudhën e ardhshme do të gjejmë një rrugëdalje nga kriza. Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim,” shkroi Vuçiç në një postim në Instagram.

Më herët para takimit, Vuçiç, duke shfrytëzuar një takim përvjetor të partisë së tij, do të theksonte se do të kishte një takim me “The Big Five” dhe se ajo do të ishte ndoshta një nga ditët më të vështira për të dhe për Serbinë, pasi ai e di se çfarë dhe pse vinin përfaqësuesit. 

“Nuk fle natën për shkak të kësaj, nuk e di nëse do të bërtas apo do të qaj nga dhimbja. Por mund t’ju them se do të kërkojmë një rrugë dhe do t’ia dalim ta ruajmë Serbinë.”

Çfarë kërkon Kosova?

Kurti deklaroi më 20 tetor se nuk mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë, pa pasur siguri në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun mes dy vendeve, Besnik Bislimi, ka thënë se fillimisht duhet të hiqen masat ndaj Kosovës, dhe Serbisë nuk duhet t’i lejohet të bëjë agresion përsëri në Kosovë.

Bashkimi Europian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës muaj më parë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Kërkesën e Kosovës për vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë e ka bërë edhe Parlamenti Europian, i cili përmes një rezolute të miratuar më 19 tetor, ka kërkuar që Beogradi të përballet me pasoja nëse vërtetohet një lidhje e drejtpërdrejtë e Serbisë me sulmin në Banjskë.

Çfarë kërkohet nga dy vendet?

Burimet në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se pritshmëritë e diplomatëve janë që Kosovës t’i kërkohet që ta gjejë një rrugë për “organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri” dhe zotimin për nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tani, me arsyetimin se mund ta rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Nga Serbia besohet se do të kërkohet që të distancohet nga secili veprim që mund ta destabilizojë veriun e Kosovës dhe që po ashtu t’i zbatojë marrëveshjet të cilat janë arritur më herët në dialog.

Marrëveshja për normalizim – kyçe

Diplomatët perëndimorë e kanë përmendur disa herë se zbatimi i Marrëveshjes së arritur më 27 shkurt në Bruksel është hap kyç për rrugën përpara drejt integrimeve evropiane.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

“Do të ketë propozime interesante”

Ditë më parë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë për televizionin N1 në Serbi se në takimet e 21 tetorit, Kosovës dhe Serbisë do t’iu bëhen “propozime interesante”, pa dhënë më shumë hollësi.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë