Tregu i kriptomonedhave është rritur ndjeshëm orët e fundit, me Bitcoin që i është afruar 30 mijë dollarëve, për herë të parë që nga qershori i këtij viti. Vetëm gjatë kësaj jave BTC ka fituar rreth 10% të vlerës, ndërsa tregu është karakterizuar nga paqëndrueshmëri të mëdha. Bitcoin, që është kriptomonedha më e madhe në botë për nga kapitalizimi, u rrit përkohësisht në 30.022 dollarë, niveli më i lartë që nga 23 korriku. Sipas analistëve, nuk kishte asnjë katalizator që diktoi tendencën në rritje të Bitcoin, i njohur për paqëndrueshmërinë dhe paqartësinë në lëvizje.
Humori në tregjet më të gjera financiare ka qenë gjithashtu nervoz kohët e fundit. Ndjenja e investitorëve është tronditur nga lufta në Lindjen e Mesme, nga rritja e yield-it të obligacioneve 10-vjeçare amerikane drejt 5% dhe nga shqetësimet që normat e interesit të qëndrojnë shumë më të larta për një kohë të gjatë. Tregjet e Bitcoin kanë qenë veçanërisht të trazuar këtë javë, pasi investitorët presin lajmet për fatin e aplikacioneve nga Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbime në SHBA (SEC), për një fond të tregtuar në bitcoin (ETF) nga firma të mëdha financiare, përfshirë BlackRock.
Bitcoin regjistroi një rritje surprizë të hënën, përpara se të kthehej sërish në nivelet e mëparshme, pasi menaxheri i aseteve BlackRock mohoi një raportim të mediave se aplikacioni i tij i profilit të lartë ishte miratuar nga Komisioni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.