Nga Gazeta ‘SI’ – Bankat tregtare në vend nuk i ndryshuan kushtet e kreditimit për bizneset gjatë tre mujorit të tretë.
Hezitimi i bankave për këtë duket se lidhet me përmirësimin e situatës aktuale ekonomike dhe pritshmëritë. BSH tregon se vetëm një bankë raportoi shtrëngim të kushteve kredituese për biznesin e mesëm dhe të vogël, lidhur me rrezikun për aftësinë paguese të kredimarrësit.
Bizneset gjatë kësaj periudhe shtuan kërkesën e tyre për hua, si pasojë e nevojës së lartë në financimin e investimeve dhe të inventarëve e kapitalit qarkullues, si edhe në rifinancimin e kredive ekzistuese.
Kjo rezultoi në rritje të numrit të kredive të miratuara, pasi bankat ishin më optimiste për likuiditetin e bizneseve dhe për perspektivën e sektorit ku operojnë bizneset. Po ashtu, niveli i lartë i besimit të biznesit u raportua si faktor që mbështeti zgjerimin e kërkesës për kredi.
Gjithsesi bankat raportojnë se gjatë tremujorit të tretë kufizuan masën e kredisë së dhënë dhe ishin më vigjilente në këtë proces, sidomos për kreditë me rrezik.

Nga ana tjetër, kreditimi i individëve u lehtësua nga bankat, si për konsum ashtu edhe për blerje banesash.
Faktorët kryesorë që mbështetën lehtësimin ishin trysnia e shtuar nga konkurrenca në sistemin bankar, perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike aktuale dhe pritjet për të, si edhe zhvillimet e pritura në tregun e banesave. Faktori i vetëm me ndikim negativ mbi standardet e kreditimit u raportua perceptimi i rrezikut lidhur me kolateralin.
Shkalla e miratimit të kredive për individët ishte në rënie gjatë kësaj periudhe. Kjo u nxit kryesisht nga faktorët që reflektojnë historikun e kreditit për individët, të tillë si historiku i marrëdhënieve me bankën dhe i regjistrit të kredive. Po ashtu, të ardhurat e disponueshme u raportuan si faktor që solli rritjen e shkallës së refuzimeve për kredi të individëve në këtë tremujor. Historiku i punësimit në tregun e punës u raportua si faktor që ka ndikuar në rënien e shkallës së refuzimeve për kredi këtë tremujor. Faktorët e tjerë mbetën thuajse të pandryshuar.

Kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e lartë në tremujorin e tretë, si për kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për ato konsumatore.
Kërkesa më e lartë për financim në blerjen e banesave, si edhe në financimin e konsumit ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor. Në drejtim të kundërt me to ndikuan: zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave; niveli i përgjithshëm i normave të interesit; si edhe përdorimi i burimeve të brendshme të financimit.
Standardet e kreditimit për individët priten të shtrëngohen në tremujorin e fundit të vitit 2023, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në kreditë konsumatore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




